Situata mbetet e rëndë në zonën Laç-Kurbin si pasojë e përmbytjeve. Uji është tërhequr nga të gjitha bizneset dhe banesat, ndërsa të gjitha familjet e evakuara janë rikthyer në shtëpitë e tyre. Në Kurbin problem mbetet dëmtimi i rrugëve në zonat malore, të cilat nga vërshimi i ujërave janë bërë të pakalueshme. Nga të dhënat e fundit është bërë e ditur se nga përmbytjet janë dëmtuar më shumë se 60 banesa, ndërsa 500 hektarë tokë vijojnë të mbeten nën ujë.
Banorët shprehen se ende nuk ka nisur verifikimi i dëmeve. Mbi 60 banesa dhe dhjetëra biznese janë përmbytur, duke shkaktuar dëme të mëdha. Mbetet për t’u parë se si do të kryhet procesi i dëmshpërblimit të banorëve, një pjesë e të cilëve pretendojnë se nuk kanë marrë as dëmshpërblimet nga përmbytjet e kaluara.
Bëhet e ditur se, ka dëme të mëdha në bujqësi, jo vetëm në të mbjella, por edhe nëpër magazina në katet e para, për prodhimet e vjelura të stinës. Dëme ka pasur edhe në blegtori, kryesisht në fshatin Malbardhë.
Zyrtarët lokalë thonë se, shkak kryesor i situatës së krijuar dy ditëshin e fundit, është mos funksionimi i pritave malore, të ndërtuara që në periudhën e komunizmit, të cilat kryejnë bllokimin e inerteve, në mënyrë që të mos ngarkohen kolektorët e përrenjtë.
Po ashtu, dëme nga përmbytjet ka patur edhe në Mirditë. Prurjet e shumta të lumit Zmeja, si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit, dëmtojnë unazën e qytetit të Rrëshenit. Bazamenti në të dy anët e rrugës është gërryer. Uji ka depërtuar edhe në argjinaturën mbrojtëse të këtij segmenti që lidh disa fshatra me qendrën.
Lëvizja e mjeteve është devijuar përmes këtyre gurëve nga Bashkia e Mirditës. Nënkryetari i saj, Julian Përgega thotë se, nuk ka fonde për të ndërhyrë, duke i kërkuar ndihmë Emergjencave Civile. Prurjet e lumit Zmeja që përshkon pjesën veriore të Mirditës rrezikojnë të dëmtojnë tubacionet e ujësjellësit dhe linjës së energjisë elektrike, për shkak të vendndodhjes së afërt.