Deputeti Luan Baçi ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të shtetit në fshatrat e Fierit të përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit. Në Njësinë Frakull, veçanërisht në fshatrat Darzezë dhe Ferras, nga përmbytjet janë shkaktuar dëme të mëdha. Me dhjetëra banesa janë dëmtuar nga niveli i konsiderueshëm i ujit, janë përmbytur ferma, ku si pasojë janë dëmtuar me dhjetëra hektarë të mbjella me produkte bujqësore. Në takim me fermerët dhe banorët e fshatrave, ata i kërkuan deputetit Baçi që të rifillojë sa më parë furnizimi me energji elektrike dhe ujë, për të patur kushte bazike të jetesës. Zoti Baçi theksoi që, në këto zona të izoluara nga uji, pas kalimit të emergjencës, nisja e riparimit të dëmeve, është një domsdoshmëri primare. Ndër të tjera, ai kërkoi që Ministria e Shëndetësisë si masë emergjente, të ngreje shërbime të lëvizshme mjekësore të domosdoshme për fëmijët dhe të moshuarit. Deputeti i PD-së Luan Baçi për “Fax Neës” është shprehur se qeveria duhet të investojë te banorët e përmbytur jo me miell dhe oriz po në kanalet kulluese.
“Do t’i zvarrisin pafund dhënien e ndihmave, do i çojnë deri para fushatave elektorale në 2019. Jam i sigurt do të shpërndajnë ashtu siç bënë në vitin 2017 me ato që 2015. Këto ndihma ua jepnin sikur ja jepte Partia Socialiste, këto ndihma i jep shteti. Ne do të mundohemi edhe si opozitë për t’i ndihmuar këta banorë. Ne do të kërkojmë dëmshpërblim për këta banorë, pasi duhet ta marrin këtë se është fatkeqësi natyrore. Ata duan që shteti të hyjë dhe të investojë, duan që qeveria të hapë kanalet kulluese. Duhet të ndërhyhet te kanalet kulluese. Pra, shteti këtu duhet të fokusohet dhe jo në shpërndarjen e makaronave dhe orizit. Aty ku i kanë çuar janë jashtë kushteve të jetesës. Shteti duhet të ndërhyjë fuqishëm atje ku duhet. Shteti nuk duhet t’i shikojë banorët bardh e zi, por të gjithë njësoj. Janë mbytur serat, janë jashtë loje, u mbytën edhe në 2015 dhe i njëjti avaz ndodhi. Është një qeveri që nuk e ka marrë dje pushtetin. Këtu do të fokusohemi”, u shpreh deputeti.
Deputetja e PD-së, Nada Meçoprapaj për “Fax News” është shprehur se qeveria bëri një show në Novoselë, me gjithë ata ushtarë dhe pushtetarë që ishin prezent. Sipas deputetes gjendja e jashtëzakonshme nga Rama nuk u shpall për të shmangur dëmshpërblimet. Ajo theksoi se, banorët e përmbytur kanë nevojë për ndihma. “Dëmet janë shumë të mëdha. Nëse shohim filmimet aty, këto janë pak. Një ditë para, ka qenë totalisht thuajse e dyfishuar sasia e ujit. Realisht dëmet janë shumë të mëdha. Situata është që aty ka pasur vëmendje të shtetit, kanë qenë bordi i emergjencave, kryetari i Bashkisë. Kishte banorë që thoshin se kemi frikën e vjedhjeve. M’u duk më tepër një show mediatik. Të shkoje në Novoselë dhe të shikoje një arsenal me ushtarë. Banorët nuk kishin nevojë për show, po kishin nevoja imediate. Banorët thonë që nuk na ka ndihmuar askush. Ata kanë nevojë për bukë.
Në fakt unë të falenderoj për konstatimin, realisht situata është se ka pasur vëmendje të shtetit, deputetë të zonave, drejtues, madje kanë qenë dhe të përballur me refuzimin e banorëve për t’u evakuuar. Mbase mund të jenë edhe të mësuar me këtë situatë, mbase kanë pasur edhe frikë për banesat e tyre. Për të qenë realist kemi ngritur problemin e gjendjes së emergjencës dhe këtë shteti e bën për të shmangur dëmshpërblimet. Ka edhe nga ata banorë që janë përmbytur në vitin 2015 dhe ende nuk janë dëmshpërblyer”, u shpreh deputetja.