Nga Erisa Kryeziu
Kujdesi shëndetësor në banesë për të moshuarit, i cili filloi si projekt pilot, rrezikon të mos vijojë më për shkak të mungesës së fondeve.
Sipas një raporti monitorues të organizatës “Together for Life”, mungesa e një buxheti të qëndrueshëm nga ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) rrezikon qëndrueshmërinë e këtij shërbimi jetësor.
Shërbimi u nis si projekt pilot në vitin 2021 në qendrat shëndetësore të Fierit dhe Dibrës. Më vonë, në kuadër të projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP), u shtri në 120 qendra shëndetësore falë dhe mbështetjes financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SCD).
“Krijohet përshtypja se deri tani, MSHMS ia ka lënë barrën financiare donatorëve, konkretisht qeverisë zvicerane, nëpërmjet projektit HAP,” thuhet në raport.
Rreth 35% e të moshuarve mbi 70 vjeç vuajnë nga kufizime të lëvizjes, që i bëjnë ata të varur nga shërbimet shëndetësore në banesë. Shifrat rriten ndjeshëm në moshën mbi 85 vjeç.
“Artriti, osteoporoza, frakturat, goditjet në tru dhe sëmundja e Parkinsonit janë disa nga shkaqet kryesore të këtyre problemeve,” përfundon raporti.
Vetëm 8.9% e pacientëve invalidë mund të vizitojnë qendrat shëndetësore pa ndihmë, ndërsa shumica (63.8%) raportojnë pamundësinë për të ecur deri në qendra, të pasuar nga ata që nuk mund të përballojnë kostot e transportit (38.7%).
Përveç mungesës së fondeve, raporti thotë se infrastruktura e shërbimeve shëndetësore vuan nga mungesa e aksesit për personat me vështirësi në lëvizje.
“Shumë institucione shëndetësore ende nuk kanë rampa dhe ashensorë të përshtatshëm,” thekson raporti.
Sipas programit HAP, 15,000 deri në 20,000 pacientë invalidë në Shqipëri kanë nevojë për shërbime në banesë. Megjithatë, pavarësisht se qeveria e ka përfshirë një kujdes të tillë si pjesë të “Strategjisë së Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Parësor Shëndetësor 2020-2025”, mungesa e fondeve mbetet pengesë.
“Ministria nuk ka parashikuar fonde shtesë për këtë shërbim, përveç mbulimit të pagave të stafit mjekësor që e ofron atë,” thekson monitorimi duke shtuar se “kjo mungesë buxhetimi e bën shërbimin të varur nga donatorët”./Citizens.al