Në ligjin e saj të ri për pronat, qeveria ka zhdukur termin kthim dhe kompensim fizik të pronave të ish-pronarëve, por ka vendosur mekanizmin e ankandit për të nxjerrë pronat legjitime të ish-pronarëve në shitje. Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myshit Vorpsi thotë se nuk bëhet fjalë për kthim të pronës, pasi qeveria e ka hequr këtë fjalë nga ligji i ri, por për shitje në ankand të tyre.
“Në 26 mijë vendime, fjala kompensim fizik i tokës së pronarëve nuk ekziston ashtu siç nuk ekziston fjala kthim i pronës. Kemi të bëjmë me një shitje në ankand të të gjitha pronave që bëjnë pjesë në fondin e kompensimit fizik. Pra, edhe 23 mijë hektarë që xhirojnë lart e poshtë nëpër media është një fond toke, 23 mijë hektarë tokë bujqësore, i cili sipas ligjit, merrni lexoni nenin 13 dhe 14 të ligjit, do të shitet i gjithi në ankand. Dhe vetëm nëse do të dështojnë ankandet, vetëm atëherë Agjencia e Kthimit të Pronave do ja ngecë me vendim një pronari, kushdo që t’i dalë përpara”, shprehet Vorpsi.
Nxitimi i qeverisë për të vijuar me kompensimin për ish-pronarët vjen në një kohë kur buxheti i shtetit po rëndohet nga vendimet e njëpasnjëshme të Gjykatës së Strasburgut e njëkohësisht pritet të shprehet Gjykata Kushtetuese, ku pesë subjekte ndër to edhe Presidenti i Republikës kanë ankimuar ligjin për pronat. Ndërkohë që një ditë para se qeveria të vendoste kreu i shtetit, Bujar Nishani shqetësimin për këtë çështje ia kishte shprehur edhe Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi.
“Na duket pak si shumë e pakuptimtë për momentin, ky nivel presioni që po bëhet haptazi, ka një javë që ky presion po i bëhet jo vetëm Presidentit, por edhe opinionit publik dhe gjithë palëve të tjera”, shprehet Vorpsi.
Për Vorpsin ligji i ri për pronat fut ujë në shumë shtigje. Një ndër to shpjegon ai është edhe zerimi i një detyrimi prej rreth 7 miliardë lekësh që shteti ka ndaj pronarëve duke vendosur për t’ja kompensuar atyre tokën truall me tokë bujqësore. Ligjin e ri për pronat ish-pronarët e ciësojnë antikushtetues dhe mohim të të drejtave të arritura.
“Nëse në shkallë vendi sot një metër katror tokë truall kompensohet apo shpronësohet sipas listës së hartës së çmimeve që ka miratuar kjo qeveri me rreth 100 euro për metër katrorë, që i thonë rreth 1 milion euro hektari. 1 metër katrorë tokë bujqësore kompensohet mesatarisht me 2 euro për metër katrorë ose 20 mijë euro hektari. E gjithë kjo lëvizje e qeverisë, konsiston në këtë element. Që të gjitha këto vendime, që janë të shprehura për tokë truall, që janë në nivelin e 7 mijë hektarëve, t’i reduktojnë në zero si kompensime që do të bëhen për tokë bujqësore”.
Qeveria po synon konfiskimin e pronave
Ligji ka parashikuar mundësinë për rikonfiskim apo rishpronësim të subjektit. Konkretisht, pasi këtij të fundit i është njohur e drejta e pronës dhe i është njohur edhe e drejta e kthimit të pronës (për shkak se ajo rezulton e lirë), ATP do të bëjë një vlerësim të pronës së kthyer, për të konstatuar nëse subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit. Është evident fakti që sot prona ka një vlerë më të madhe sesa kishte në momentin e shpronësimit gjatë periudhës komuniste. Për pasojë, në mënyrë antikushtetuese dhe në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, ATP i kompenson fizikisht subjektit vetëm sipërfaqen që i korrespondon vlerës që ka patur prona në momentin e shpronësimit. Ndërkohë që pjesa e mbetur merret nga shteti dhe kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së (që përdoret për të kompensuar subjektet e tjera apo për t’u shitur në ankand). Ky akt, përbën de juro shpronësim nga një autoritet administrativ apo konfiskim të pasurisë pa një vendim gjyqësor.
Heqja e nocionit të kthimit të pronës në objektin e ligjit është i lidhur me metodologjinë e re të propozuar për vlerësimin e pronës. Për ne është e papranueshme, që ndërkohë që shteti e konsideron shpronësimin apo konfiskimin e kryer nga regjimi komunist si të padrejtë dhe të paligjshëm, për rastet kur prona rezulton e lirë dhe nuk i shërben interesit publik, subjekti të mos të kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme, pra t’i kthehet e gjithë prona në gjendjen që ajo është sot. Vetëm në rastet, kur për shkaqe sociale dhe ekonomike, kthimi në gjendjen e mëparshme dhe zhbërja e paligjshmërisë do të ishte e pamundur, mund të aplikohen mekanizmat e kompensimit.
Shkelja e parimit të sigurisë juridike dhe të drejtës së pronës
Ligji cenon parimin e sigurisë juridike, për shkak se nuk përmbush kërkesat e qartësisë së tekstit normativ dhe kuptueshmërisë së ligjit. Konkretisht: Së pari, nuk del e qartë nëse rregullimi i ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të kompensimit i nënshtrohen vetëm vendimet e kompensimit, që nuk kanë të përcaktuar vlerën e dëmshpërblimit apo që nuk janë ekzekutuar ende. Nëse shqyrton përmbajtjen e ligjit, rezulton se objekt shqyrtimi dhe riekzekutimi do të jenë edhe vendimet e kthimit të pronave. Ky fakt i paspecifikuar në objektin e ligjit, gjen trajtim në nenin 6/1/b të ligjit, i cili specifikon se prona e kthyer vlerësohet duke përcaktuar atë nga diferenca që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Mirëpo, nëse prona është kthyer me vendim përfundimtar, atëherë ekzekutimi ka përfunduar dhe pavarësisht nëse është regjistruar në ZRPP nga pronari, ajo është pronë e tij, që nuk mund të vlerësohet financiarisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Së dyti, skema e kompensimit e parashikuar nga ligji shfaq shumë paqartësi, ashtu siç edhe vetë dispozitat mbi shtrirjen e efekteve të ligjit. Edhe pse ligji duhet t’i jepte fund pasigurive dhe vështirësive të krijuara si rezultat i ndryshimeve të herëpashershme në legjislacion, ai në vetvete e shton së tepërmi këtë pasiguri. Paqartësi ka në aspektet ligjore dhe financiare të skemës së kompensimit, përsa kohë do të vazhdojnë të depozitohen kërkesa të reja dhe fatura financiare do të vijë në rritje. Një fakt i tillë vë në dyshim vlerën e parashikuar nga ligji për kompensim financiar dhe aq më shumë përfundimin e saj brenda 10 viteve.
Së treti, paqartësia ekziston edhe në drejtim të procedurave që do të ndjekin aplikantët. Në këtë rast, standardet e elaboruara nga GJEDNJ-ja kërkojnë që procedura e ekzekutimit të mos ketë kosto shtesë apo burokraci të tepruara. Për më tepër, procesi nuk rezulton të jetë transparent dhe efektiv, përsa kohë nuk ekziston një database hartografike e të gjitha vendimeve dhe regjistrimi i pronës akoma nuk ka përfunduar.
Rama, ligj të ri për të mos kompensuar pronarët
Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë valën e kompensimeve të shtrenjta nga Strasburgu në favor të pronarëve të tokave, asetet e të cilëve u sekuestruan nga regjimi komunist. Qeveria shqiptare shpreson se legjislacioni i ri do të ndalojë vendimet e mëtejshme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në favor të ish-pronarëve, që e kanë detyruar atë t’i paguajë atyre sasi të mëdha kompensimi financiar. Në vitin 2006, gjykata e Strasburgut lëshoi vendimin e parë në favor të pronarëve që kërkonin kompensim për pronat e marra nga regjimi komunist – dhe të cilëve u njohën të drejtat nga një komision shtetëror. Zyra e Avokaturës së Shtetit që funksionon brenda ministrisë së drejtësisë dhe përfaqëson shtetin shqiptar në gjykatë të Strasburgut i tha BIRN se shuma totale e kompensimit që u desh të paguhej në 2014 ishte 2,462,015 euro dhe 10,751,416 euro në 2015. Fatura për 2016 pritet të jetë gjithashtu e lartë. Më 17 mars, gjykata e Strasburgut e urdhëroi Shqipërinë të paguajë 11 milionë euro të tjera në një vendim në lidhje me gjashtë ish-familje pronare. Qeveria ka tre muaj kohë të gjejë fondet për këtë rast të ri kompensimi. Burime nga Zyra e Avokaturës së Shtetit dhe shoqata e pronarëve i thanë BIRN se një vendim tjetër multi-milionë euro nga Strasburgu mbi të njëjtën çështje do të jepet së shpejti. “Norma e çmimit të tokës që gjykata përdor për të kompensuar ish-pronarët është më e lartë sesa ajo e qeverisë. Kjo krijon një barrë financiare për shtetin, që është arsyeja përse po përpiqemi të ndalojmë praktikën e vendimmarrjes së Strasburgut për pronarët shqiptarë të tokave,” tha për BIRN Alma Hiçka, kreu i Zyrës së Avokaturës së Shtetit. Me shpresën për t’i dhënë fund vendimeve të kripura për nga çmimi i kompensimit, qeveria miratoi një ligj të ri për kompensimin e pronarëve për pronat dhe asetet në dhjetor 2015. Ky synon të mbledhë rreth 438 milionë euro dhe 23,000 hektarë tokë bujqësore për 10 vite në mënyrë që të kompensohen rreth 26,000 raste. “Do ta prezantojmë këtë ligj të ri në fillim të prillit në gjykatën e Strasburgut ngaqë e kemi hartuar sipas sugjerimeve të tyre,” tha Hiçka. “Ne shpresojmë që gjykata do ta vlerësojë si një zgjidhje të qëndrueshme për ish-pronarët dhe do t’i japë fund vendimmarrjes së tyre për pronat,” shtoi Hiçka. Megjithatë, në një shenjë se ligji i ri nuk do t’i japë fund mosmarrëveshjes së kompensimit mbi asetet e sekuestruara, shtatë padi të ndara janë drejtuar në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të ri, përfshirë mocione nga Presidenti i Shqipërisë, Avokati i Popullit dhe shoqatat e ish-pronarëve. Gjykata Kushtetuese pritet të lëshojë një vendim për ligjin në javën e parë të prillit. Ish-pronarët thonë se ata kanë pritur vite për të rimarrë pronat – ose të marrin kompensim financiar për to – që është arsyeja përse shumë prej tyre i janë drejtuar Strasburgut.