Kanë shteruar listat e kandidatëve të PD-së dhe të LSI, për zgjedhjet parlamentare të 2017-tës, duke bërë që në Kuvend të mbesin 18 karrige bosh.
Për herë të parë vendi do të mbetet me më pak se 140 deputetë që janë parashikuar në Kushtetutë. Nuk dihet nëse pas kësaj presidenti Meta do të marrë një vendim për të shpërndarë Kuvendin, një kërkesë kjo e bërë pak kohë më parë dhe nga Vangjel Dule.
Nga PD janë plotësuar 23 vende dhe lista e kandidatëve është shteruar e gjitha. Ndërkohë që nga LSI-ja janë pranuar të gjitha mandatet e lëna nga deputetët, duke e çuar në 17 numrin e atyre që kanë hyrë në Kuvend.
Deri tani janë 39 deputëtë të opozitës që kanë zënë karriget, nga 58 që dogjën mandatet.
Parlamenti ka 121 mandate (mund të bëhen 122 me gjithë mandatin e mundshëm të LSI Tiranë).
Situata në PD sipas qarqeve:
FIER 3 vende bosh, asnjë s ka pranuar
TIRANË 2 bosh, 8 pranuar
DIBËR 1 bosh, 1 pranuar
DURRËS 2 bosh, 2 pranuar
VLORË 1 bosh, 2 pranuar
KORCË 0 bosh, 4 pranuar
SHKODËR 3 bosh, 2 pranuar
KUKËS 1 bosh, 1 plotësuar
BERAT 0 bosh, 1 pranuar
LEZHË 3 bosh, 0 pranuar
GJIROKASTËR 0 bosh, 1 plotësuar
ELBASAN 2 bosh, 1 pranuar
Me një vendim politik, Partia Socialiste ka vendosur që të mos “luftojë” juridikisht në KQZ për të marrë vendet e lëna bosh nga demokratët, duke lënë pa përfaqësim një numër të madh qytetarësh që kanë votuar. Procesi në KQZ për pranimin apo jo të mandateve nga listat e kandidatëve nisi që prej muajit shkurt, dhe tashmë duket se “telenovela” ka marrë fund.