Trajneri i Kombëtares, Christian Panucci në konferencën e djeshme për shtyp, ka folur mbi emra të veçantë, qoftë për rolin e tyre në fushë, apo për të ardhmen e secilit “Hysaj majtas? E di që luan majtas, besoj edhe tek Aliji, Memolla e Lenjani. Nëse nuk është asnjëri prej tyre, luan edhe Veseli. Hysaj nuk preket? Në ekipin kombëtar s’e ka askush vendin të sigurt. Nëse nuk luan mirë, sigurisht. Ai stërvitet shumë mirë. Ramadani? Eshtë një lojtar i mirë, më pëlqen, luan në Danimarkë, ku luhet fizikisht. Kam folur me Bushin, por është mirë të mos flasim me emra. Ftesa e Alijit për miqësoren ndaj Turqisë? Të gjithë trajnerëve u duket e çuditshme se si ai është pa ekip. Edhe nëse në mars nuk do të ketë ekip, ai do të vijë sërish. E grumbullova për t’i dhënë një mundësi”, u shpreh Panucci.
Trajneri i kombëtares ka folur edhe për grumbullimin e lojtarëve të dëmtuar në Antalia, të cilët ikën më pas në klubet e tyre, sepse ishin të pamundur për miqësoren ndaj Turqisë: “Pati lojtarë të dëmtuar, të thirrur në grumbullimin e Antalias? Ka disa rregulla, çdo lojtar, nëse është i dëmtuar, duhet të paraqitet me një letër nga klubi i vet në kombëtare. Më pas është doktori i kombëtares, ai që e viziton dhe pastaj kthehet në shtëpi. Basha erdhi dhe nuk kishte asnjë rekomandim. E pamë që ishte i dëmtuar, u siguruam se nuk luante të dielën në Seria B dhe e lamë të shkonte në shptëi. Te Bari nuk dinte askush asgjë. Latifi erdhi me një letër, që thoshte se duhet të qëndronte tre javë pushim, ndërsa ai thoshte se jam mirë. Kemi të bëjmë me ekipin kombëtar, ndaj duhet rekomandim mjeku dhe jo me një letër. Strakosha ndihej mirë, pas katër ditësh ndjeu dhimbje, e vizituam dhe u kthye te Lazio. Ai luajti më pas, është problem i klubit të tij, jo i yni. Nuk mund të bësh si të duash në kombëtare. Kush është i dëmtuar, të vijë në grumbullim, do të vizitohet dhe më pas mund të shkojë te klubi, nëse është vërtet i pamundur”, tha ai.
Në grumbullimin e Antalias, për miqësoren me Turqinë, ra në sy mungesa e kapitenit Ansi Agolli. Vetë futbollisti tha se ka biseduar me trajnerin Panucci, ndërsa ky i fundit, në konferencën e sotme për shtyp, ka hedhur më tepër dritë mbi këtë çështje. “Agolli? Kam folur me të, e kam telefonuar. I kam thënë se në kohën e eliminatoreve të Europianit të ardhshëm do të jetë 37 vjeç e gjysmë, ndaj do të shoh disa opsione në rolin e tij. Në këtë vit përgatitjesh është e drejtë që të shoh të gjitha alternativat. Nëse do të jetë në formë të mirë, nuk do ta marr parasysh moshën, do të grumbullohet dhe mund të luajë. Por, deri në qershor, do t’i shoh edhe alternativat e tjera. Ka shumë shqiptarë që luajnë jashtë, por ideja është që të krijojmë një skuadër cilësore. Më intrigon kjo. E kemi bazën e kombëtares, por ka edhe shumë lojtarë të rinj, që do t’i shikoj. Nuk e përcaktoj unë kush grumbullohet, metaforikisht, por dëshira e tyre. Le t’i referohem Qakës. Kisha një muaj e gjysmë që e shikoja. Talenti i tij e solli këtu, jo unë. Si ai ka edhe shumë të tjerë, ndaj do t’i shohim. Si do t’i përzgjedh lojtarët? Unë do të doja që lojtarët të luajnë sa më shumë me klubet respektive. Do thirren ata që i përshtaten modelit tim të lojës. Kur të grumbulloj 8 mbrojtës, fjala vjen, normalisht që do të luajnë ata që kanë më shumë minuta në këmbë. Sadiku kishte 27% të ndeshjeve të luajtura dhe e dinte që do të punonte me ekipin kombëtar për 9 ditë”, u shpreh Panucci.