Shqipëria është lakuar disa herë si Kolumbi e Europës, ndaj zoti Berisha nuk mund të linte pa prekur edhe aspektin e narkotrafikut si një e zezë e madhe në Shqipëri që pengon realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e si rrjedhim hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. “E vërteta,-thotë ai,- është se kjo është seanca funebër e kësaj mazhorance. A e dini ju që skafi i Saje qorrit është sot mjeti më i fuqishëm i transportit të drogës nga Bishti i Pallës deri në Karaburun? Policia s’guxon të prekë skafin e Habilajve, sepse është vetë ministri. Kjo është arsyeja që jo një, por disa vende partnere qarkullojnë dosjen e tij. Keni marrë fund! Ju nuk mund të mbuloni lidhjet, murin e krimit dhe të korrupsionit, duke mos u lexuar qytetarëve shqiptarë ato çka thanë ministrat e Jashtëm të BE, duke ju fshehur atyre ato çka tha Grupi parlamentar i Bundestagut, CDU-CSU, duke zhurmuar në mënyrën më të paskrupullt fjalën e kancelarës Merkel”.
Në vijim, duke folur sërish për kushtet që Rama po mundohet t’i fshehë zoti Berisha thotë se: “Edvin Shullazi, pasi deklaroi se do kemi vendim pozitiv për hapjen e negociatave, dhe vendimi pozitiv në fakt nuk ishte i shkruajtur, hapi lajmin në mbarë Shqipërinë se ky do ishte nëntori i katërt, pasi një sihariq i madh do vi. Pas nëntorit të Skëndërbeut, pas atij të Ismail Qemalit, pas nëntorit të xhelatit të shqiptarëve do vinte nëntori i bllokmenit të shqiptarëve. Dhe cili ishte nëntori? Lakuriq, por jo si në plazhe, por i zi siç është, për faqe të zezë. Ja përveshën të gjitha një më një. Këtij i thonë sukses. Ja u thashë edhe herën e kaluar. Kur e pyesin (Ramën) për ligjin e dekriminalizimit prishte në fytyrë dhe u thotë se në grupin e tij nuk ka asnjë. Ndërkohë Prokuroria shqiptare njofton se në grupin e tij ka disa vrasës, jo një, por disa”.
Duke konkluduar ish-kryeministri tha: “Pra, Edi Rama është magneti i krimit. Pasioni i tij për krimin ka kufi vetëm qiellin. Ja t’ju njoh me aktin e tij më të fundit. Këto ditë ka emëruar këshilltar kombëtar antiterrori një Agron Sojati. Agron Sojati është larguar nga detyra në Policinë e Shtetit me shkelje në detyrë. Ai emërohet koordinator kombëtar në luftën kundër ekstremizmit pranë zyrës së kryeministrit. Ai është shkarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Cako. Në kartelën personale që disponon thuhet se është pezulluar disa herë nga detyra, i është nënshtruar procedimit disiplinor, i është ulur grada si pasojë e masave disiplinore dhe në fund është shkarkuar nga Haki Çako. Po si u emërua tani ky, më thoni ju mua? Qesja e parave sigurisht. Nga na doli Sojati koordinator kombëtar për luftën kundër ekstremizmit? E thjeshtë fare. Ky zotëri paguan më shumë. Ta mbajnë me shëndet”.