Skafi me 1.5 tonë drogë që u bllokua nga policia malazeze mesditën e të enjtes është nisur nga Vlora. Ky është dyshimi i deritanishëm i Antidrogës së vendit fqinj. Pas sekuestrimit të 1.5 drogë, në prangat e policisë malazeze kanë rënë shtetasit Elton Çaushaj dhe Benard Tahiraj nga Vlora, emigrantë në Venecia të Italisë. Ndalimi i tyre është bërë 8 milje në det të hapur, në afërsi të Plazhit të Madh në Ulqin. Në skaf janë sekuestruar 78 thasë me nga 20 kilogram drogë.
Nga të dhënat e policisë së vendit fqinj, skafi është zbuluar në momentin e futjes në ujërat territoriale të Malit të Zi. Është ende e paqartë, se cili vend ka qenë destinacioni i drogës. Dy të arrestuarit nga Vlora kanë refuzuar të japin detaje rreth ngarkesës dhe destinacionit përfundimtar.
Policia malazeze dyshon se, lënda narkotike do të kalonte tranzit në vendin fqinj dhe më pas në rruge tokësore do të shitej në vendet e Bashkimit Europian. Çaushaj dhe Tahiraj po merren në pyetje nga Prokuroria e lartë e Malit të Zi, ndërsa në bashkëpunim edhe me Policinë e Shqipërisë kanë nisur një hetim të përbashkët. Po hetohet edhe zbulimi i vendnisjes së skafit me 1.5 tonë drogë.
Për Çaushajn e Tahirajn, Prokuroria malazeze ka kërkuar informacion nga autoritetet shqiptare. Policia e vendit tonë dhe ajo e Malit të Zi dyshojnë se, skafi është nisur nga Vlora dhe ka udhëtuar afër bregut me qëllim shmangien e radarëve. Ata u kapën rreth 8 milje në det në afërsi të zonës së Plazhit të Madh në Ulqin. Ishin radarët e policisë kufitare dhe të njësisë lundruese që pikasen mjetin lundrues skaf në afërsi të bregut të detit dhe më pas u vënë në ndjekje. Nuk është e qartë ende se në cilin vend do të dërgohej droga, por policia malazeze bëri të ditur se, droga e bllokuar do të shitej në vendet e Bashkimit Europian.