Bordi i drejtuar nga Gentian Sala i ka dhënë në shkelje flagrante të ligjit shoqërisë ADTN, licencën kombëtare private për transmetime audiovizive.
Vendimi është marrë me shumicë të thjeshtë, 4 pro e tre kundër, duke cenuar rëndë ligjin për mediat audiovizive të vitit 2013. Në nenin 19 ai përcakton qartë, se kjo licencë jepet vetëm me shumicë të cilësuar, pra me 5 vota.
Por ky nen është shkelur.
Në mbledhjen e tensionuar, Kreu i AMA Gentian Sala, tha se vendimi i thjeshtë bazohet në ligjin për funksionimin e organeve kolegjiale. Anëtarët që votuan pro, thanë se votimi me shumicë të thjeshtë parashikohet në këtë ligj, kur në dy votimet e mëparshme nuk arrihet shumica e cilësuar.
Por ky argument qesharak rrëzohet po nga ky ligj, i cili përcakton qartë, se ai vihet në zbatim vetëm kur një institucioni i mungon ligji organik, bordi drejtues dhe rregulloret e brendshme.
AMA ndërkohë ka edhe ligj organik, edhe bord drejtues, edhe rregullore. Të gjitha ato detyrojnë votim të cilësuar për ndarjen e licencave kombëtare private. Madje rregullorja saktëson në nenin 20, se kundër vendimit të AMA-s palët i drejtohen Gjykatës. Anëtarët e AMA, ndërkohë nuk pranuan të komentonin vendimin e mbledhjes.
Votimi antiligjor i kësaj të premteje ishte paralajmeruar nga bordi i AMA, që u mblodh në mënyrë ilegale pak ditë më parë vetëm për të ezauruar të ashtuquajturin votim të dytë me shumicë të cilësuar.
Po ashtu, AMA nxitoi të merrte vendim me shumicë të thjeshtë edhe pse nuk u respektuan kritere të tjera ligjore, si e drejta e ankimimit për vendimit e mbledhjes së datës 29 dhjetor apo edhe dërgimi i çështjes në Prokurori nga dy subjekte të skualifikuara nga gara.
Vendimi i kësaj të premteje u paralajmërua një ditë më parë edhe nga opozita. Anëtari i Komisionit të Medias, Luçiano Boçi, tha se Autoriteti i Medias Audiovizive e kishte bërë gati vendimin, ndonëse procesi ligjërisht konsiderohet i përfunduar.
Sipas demokratëve, me këtë vendim, AMA u jep monopolin subjekteve të caktuara në tregun e mediave.