Skandal i Ujësjellësit, banorët e Kasharit me nga dy kontrata

Abuzimet nga ana e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë janë kthyer në një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët. Rasti më i fundit, i denoncuar në emisionin investigativ “Stop” në Televizionin “Klan”, ka ardhur nga banorët e rrugës së “Qelqit” të ish-Komunës Kashar. Në një kohë që të gjithë banorët e Tiranës kanë nga një kontratë në UKT, këta banorë rezultojnë me dy kontrata, një me ish-komunën, që janë njohur pak muaj më parë dhe një me UKT, në momentin kur kanë blerë shtëpinë.
Për mikrofonin e “Stop” banorët ankohen se atyre i vijnë dy fatura uji për të paguar me shuma të ndryshme. Një tjetër fakt i çuditshëm është se në fatura, i vjen edhe taksa për “konsum të ujit të pijshëm”, ndërkohë që në lagjen e tyre nuk ka ujë të pijshëm, por vetëm uji pusi, që sipas analizave të bëra nga vetë banorët, ky ujë rezulton me përqindje të lartë amoniaku që vjen nga kanalizimet e fekaleve të Tiranës.
Lidhur me këtë shqetësim të banorëve, stafi i emisionit “Stop” zhvilloi një intervistë me drejtorin e UKT Rajonale, Besim Ruçi, i cili u shpreh se ka marrë masa lidhur me këtë shqetësim të këtyre abonentëve.
“Kur u ndodha përballë faktit që këto abonentë kanë dy kontrata verifikova ku janë dhe ku nuk janë debitorë, evidentova të gjithë abonentët dhe më rezultojnë 380 abonentë, sipas azhornimit që ne kemi bërë në terren. Atëherë nisa shkresën përcjellëse, për të bërë heqjen nga sistemi të njërës prej kontratave dhe kjo procedurë ka përfunduar sot. Këta banorë nuk do ta kenë kontratën që kanë patur te UKT tek njësia 5, por do të jenë abontentë të Drejtorisë Rajonale, pjesë e UKT”, tha Ruçi.
Lidhur me përgjegjësitë për hapjen e këtyre kontratave, drejtori u shpreh se ato janë hapur nga Komuna Kashar. Ndërsa shtoi se të gjithë debitorët nuk do të kenë detyrime për atë kontratë, ndërsa ata që kanë paguar do të jenë kreditorë.
“Të gjithë ata që nuk kanë paguar, që janë debitorë, nuk do të kenë detyrime për atë kontratë. Por, në rast se ka pagesa, të do të dalin si kreditorë dhe do t’u zbritet në fatura shuma që ata kanë paguar padrejtësisht”, tha ai.
Ndërkohë, banorët e Tiranës janë shprehur të shqetësuar për mbifaturimet nga Ujësjellësi. Dhjetëra qytetarë janë paraqitur në zyrën e ankesave në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë për shkak të mbifaturimeve. “Këtë radhë më erdhi 32 mijë e kusur. Nuk kam ku i gjej paratë se unë jam pensionist. Nuk e di pse më erdhi kaq shumë. Faturë nuk kam, faturë nuk vjen. Ku ta gjej unë? Ata thonë bëj kartën e identitetit, bëj fotokopjen e kësaj dhe bëj ankesë”, tha ai.
Një tjetër qytetar ankohet se është faturuar sipas dëshirës të punonjësit të UKT, pasi sahati nuk funksionon. “Kanë ardhur dhe kanë parë sahatin e prishur dhe ja kanë futur numrin sipas qejfit. Aq sa ka dashur vetë ka shkruajtur, me sahat të prishur. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të paguaj 30 mijë lekë”, thotë qytetari.
Po ashtu qytetarët ankohen se, shpesh herë uji vjen i ndotur në çezmat e tyre. “Uji që vjen në çezmë nuk e pij, sepse mban erë. Unë mbush kovat dhe e shoh poshtë tyre që është e zezë”, shprehet një qytetar.

Artikulli paraprakGrabitja e bankës në Vlorë, policia: “Gjetëm makinën, por jo autorët”
Artikulli tjetërRama ka rënë, ka vetëm 55 vota