Një tjetër skandal ka plasur në shkolla. Ministrja e Ramës ka hartuar një studim që ka për qëllim të zbulojë detaje nga sjellja e nxënësve shqiptarë ku fëmijët 11 vjeç pyeten nëse kanë bërë seks oral e anal. ky skandal ka ngjallur reagime të shumta tek prindërit.
Këta të fundit kanë denoncuar pranë deputetes demokrate, Albana Vokshi.
Kryetarja e Komisionit për Median, Albana Vokshi, i ka drejtuar një kërkesë ministres Lindita Nikolla, ku e pyet për arsyet sepse nxënësit duhet të përgjigjen nëse kanë kryer seks anal, oral apo vaginal.
“Një grup prindërish kanë adresuar një problem shqetësues, të cilin e konsideroj plotësisht legjitim, në lidhje me një studim kombëtar për “Vlerësimin e sjelljeve shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore” që do të ndërmarrë instituti i Shëndetit Publik me mbështetjen e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, ku nxënës të moshës, 11, 13 dhe 15 vjeç do t’u shpërndahet një pyetësor.
Në pyetjet 45 e në vazhdim, në një gjuhë që unë e konsideroj krejt të papërshtatshme për fëmijë në ato mosha, nxënësve u kërkohet të japin mendimin e tyre në lidhje me ngacmimet seksuale e madje shkohet dhe më tutje ku u kërkohet të përgjigjen nëse kanë kryer seks anal, vaginal apo oral”, thuhet në kërkesën e Vokshit.