Skandal! Mimi përzë prokurorët nga hetimi për rrëzimin e helikopterit

Skandal! Mediat kombëtare raportuan dje largimin e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme nga hetimet mbi shkaqet e vdekjes së dy pilotëve të ushtrisë pas rrëzimit të helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes. Mediat thanë se hetimi i tragjedisë është marrë përsipër nga prokurorë ushtarakë??? Ligji shqiptar nuk njeh as Prokurori dhe as Gjykatë Ushtarake.
Nëse mediat kanë patur parasysh Policinë Ushtarake, kjo është tërësisht diçka tjetër. Vërtet kjo polici ka të drejtë të kryejë hetime mbi veprat penale të kryera në Forcat e Armatosura, por nuk mund të jetë kurrsesi rasti që të mund të aplikohet. Që në orët e para të rrëzimit të helikopterit në ujërat e Liqenit të Shkodrës, dëshmitarët në vendngjarje dhe mediat kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi rrethanat e rrëzimit, itinerarin e helikopterit, misionin e tyre, duke etiketuar qartazi edhe përgjegjësit e kësaj tragjedie.
Mbi të gjitha që në orët e para të kësaj ngjarjeje të rëndë, burime të ndryshme kanë implikuar direkt ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, se helikopteri po transportonte mjete ndërtimi për vilën e saj familjare në Vermosh. Mediat kanë ngritur pikëpyetje të mëdha edhe për gjendjen fizike të helikopterit, moskompletimin e tyre sipas standardeve, mungesën e pajisjeve të nevojshme të mbrojtjes apo edhe deri tek cilësia e karburantit të përdorur. Edhe sikur një nga këto arsye të jetë e vërtetë, në një rast të tillë përgjegjësia e ministres së Mbrojtjes është e drejtpërdrejtë, përgjegjësi jo vetëm morale, por edhe ligjore.
Hetimet e kryera vetëm nga hetuesit e Policisë Ushtarake e komprometojnë rëndë këtë hetim. Policia Ushtarake është një strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes në varësi direkte të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Nëse helikopteri është rrëzuar për shkakun se korrupsioni qeveritar në momentin e marrjes në dorëzim të helikopterëve i ka lënë ato larg standardeve të nevojshme dhe pa mjetet e duhura mbrojtëse, atëherë përgjegjësia është e ministres Kodheli. Faji i Mimit është edhe nëse cilësia e karburantit të përdorur nuk ka qenë e duhura dhe rrëzimi ka ardhur nga shuarja e motorëve. Përgjegjësia e ministres është edhe nëse helikopteri është përdorur për të furnizuar me mermer firmën që po dekoron vilën e ministres. Përgjegjësia e ministres është edhe nëse pilotët nuk kanë kryer fluturimet, trajnimet dhe nuk marrë trajtimet e duhura nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes që është më i ulëti në historinë e vendit dhe pjesa që shkon për ushtrinë keqpërdoret nga korrupsioni i skalioneve të kusarëve që kontrollojnë çdo gjë në këtë vend.
Vartësit e Mimit nuk mund të hetojnë Mimin apo shefat e tjerë të lartë të ushtrisë dhe nuk mund të jenë kurrsesi të paanshëm në hetimet që po kryejnë. Prania e ekspertëve francezë dhe largimi i prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme veçse e mjegullon edhe më këtë çështje. Në çdo vend normal të botës, për më tepër anëtar i NATO-s do të ndodhte e kundërta, Prokuroria e Shtetit do të ishte në krye të hetimeve dhe eksperti nga kompania prodhuese do të ishte thjesht për të asistuar ekspertë të pavarur që të hetonin në thellësi dhe detaje çdo provë apo të dhënë që do të ndihmonte në zbulimin e shkaqeve që sollën rrëzimin e helikopterit dhe humbjen e dy pilotëve shqiptarë.
Prokuroria duhet të hetojë mbi këtë ngjarje tragjike, pasi jeta e atyre dy pilotëve nuk mund të kthehet mbrapsht dhe nuk mund të shitet as me gradat që shpërndan Mimi për vartësit e saj, as me llokmat e korrupsionit të pushtetit që po rrëzojnë këtë vend rrëmbimthi në mjerim dhe fatkeqësi. Pse humbën jetën dy pilotët, pse u rrëzua helikopteri nuk mund të hetohet nga Mimi. Kjo bëhet vetëm për fshehur shkaqet dhe përgjegjësinë e Mimit dhe bandës që ka rreth vetes.

Artikulli paraprakStudioja e sheshit, projektoi edhe shtëpinë e Ramës, nën hetim për korrupsion në Belgjikë
Artikulli tjetërÇfarë po kërkon të fshehë Mrika nga rrëzimi i helikopterit?