Skandal, Ministria e Drejtësisë bllokon hetimet për Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda i la afat Ministrisë së Drejtësisë deri më datën 2 nëntor për të mbyllur përkthimin e dosjes “Habilaj” dhe për ta dorëzuar në funksion të hetimeve të nisura, por edhe pse kanë kaluar dy javë nga afati, dosja hetimore ende nuk është përkthyer. Mospërkthimi i i tabulateve të përgjimeve të Habilajve nga Prokuroria e Katanias ka bllokuar hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
1800 fletët e fashikullit hetimor të një grupi kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj që ishte përfshirë në trafikun e drogës, janë përcjellë përmes një letërporosie nga drejtësia italiane në datën 19 tetor. Dosja e plotë i është dërguar menjëherë Ministrisë së Drejtësisë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe pritet që vetëm pasi ky material t’i jepet në shqip akuzës, grupi i hetimit do të vendosë se, kur do ta thërrasë për ta pyetur sërish ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri.
Ministria e Drejtësisë ka patur kohë të mjaftueshme për të mbyllur përkthimin e dosjes “Habilaj”, por edhe pse kanë kaluar dy javë nga afati i vënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dosja hetimore e përkthyer nuk i është dërguar organit të akuzës. Prokurorët presin përkthimin urgjent të dosjes për arsye se po bllokohet hetimi ndaj ish-ministrit Tahiri dhe bandës së Habilajve. Lind dyshimi se mospërkthimi në kohë i dosjes “Habilaj” nga Ministria e Drejtësisë është bërë qëllimisht për të penguar hetimin ndaj ish-ministrit Tahiri.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë po bëhet pengesë për hetimin ndaj ish-ministrit Tahiri, në Itali u zhvillua para disa ditësh, seanca e parë gjyqësore ndaj anëtarëve të bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj. Trupi gjykues vendosi të lerë në burg të gjithë anëtarët e bandës së drejtuar nga Habilaj. Prokuroria shqiptare po heton paralelisht për grupin e Habilajve dhe ka përfshirë në hetime edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Para pak ditësh, prokurorët e çështjes sekuestruan librin e takimeve në Ministrinë e Brendshme nga viti 2013 deri në 2017. Bëhet fjalë për periudhën, kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri. Ky veprim hetimor po kryhet për të verifikuar përgjimet e italianëve të Florian Habilajt. I njohuri ndryshe si “Lolo”, ai tregon se ka shkuar në Tiranë dhe ka takuar shefin e madh. Në funksion të këtyre hetimeve u janë kërkuar gjithashtu kompanive celulare që të dorëzojnë komunikimet telefonike të ish-ministrit të Brendshëm dhe të tre vëllezërve Habilaj si edhe qelizat e telefonave të tyre.

Hetimet e Antimafias italiane

Grupi i organizatës së Habilajve u arrestua më datë 14 tetor 2017 me urdhër të Gjykatës së Katanias në operacionin e Policisë italiane të koduar “Rosa dei Venti”. Organizata kriminale e drejtuar nga Moisi Habilaj vetëm në një ngarkesë me 3.500 kg marijuanë që kishte transportuar në Itali nga bregdeti shqiptar kishte përfituar 20 milionë euro. Në momentin e arrestimit, bandës iu sekuestruan rreth 20.000 euro cash. Sipas Prokurorisë së Katanias, në veçanti, organizata kriminale, ku disponueshmëria e armëve dhe municioneve është konfirmuar me ekzekutimin e konfiskimit të armëve të tipit Kallashnikov dhe qindra municione, kishte fituar kontrollin mbi importin e sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria, të cilët më pas përdoreshin për të furnizuar sheshet në Katania dhe në krahinat e Raguzës dhe Sirakuzës.
Operacioni, i koduar me emrin “Rosa dei Venti” është kryer nga financierët e Gico dhe Guardia di Finanza e Katanias, duke kryer funksione komplekse teknike për gjurmimin e telefonatave dhe përgjime mjedisore, për të cilat është e nevojshme prova për të përdorur të dyja, si në tokë dhe në det, të vendosjes së njëkohshme të pajisjeve të artikuluara për të luftuar trafikun e paligjshëm.
Gjatë hetimeve, në fakt është bërë e mundur marrja në dëm të komponentëve të organizatës kriminale me profil ndërkombëtar, konfiskimi në mënyrë të përsëritur e lëndëve narkotike, ku janë arrestuar më shumë se 20 korrierë, edhe me ndihmën e njësisë të “antiterrorizmit dhe impenjimit të shpejtë” e qentë e grupit të Guardia di Finanza të Katanias.

Artikulli paraprakLaboratori i kokainës, amnistohet banda e Xibrakës
Artikulli tjetërKanabisi dhe Shqipëria, kjo është historia e mafias dhe korrupsionit në një vend ku droga është politike