Sindikatat e arsimit kundërshtojnë unifikimin e diplomave për mësuesit që kanë përfunduar studimet në institutet pedagogjike 3-vjeçare para viteve 1990 me nivelin bachelor, siç parashikon ligji i ri i Arsimit të Lartë. Sipas sindikalistëve, vendimi do të shoqërohet me ulje pagash për 30% të arsimtarëve, kryesisht ata të moshës 45-55 vjeç.
Kundër këtij vendimi të padrejtë, siç e cilëson ai, ka dalë edhe deputeti i PD, Luçiano Boçi, anëtar i Komisionit të Edukimit, i cili thotë se prej kohësh ministres Nikolla i është kërkuar të gjejë zgjidhjen e duhur ligjore për të mos u cënuar kategoria më e përkushtuar e mësuesve.
“Është një lloj padrejtësie që i bëhet kësaj kategorie, pasi dhe diploma para vitit ’90, megjithëse ka dalë nga një institut i lartë pedagogjik, ka pasur karakter të integruar në tërësinë e lëndëve të zhvilluara dhe pas 28 vitesh nuk mund të dalësh dhe t’u thuash sot atyre që diploma juaj nuk vlen dhe duhet shoqëruar me një master. Ajo që do kërkoja unë është modifikimi i ligjit. Në qoftë se nuk ka ndërhyrje ligjore, amendimi i ligjit, ky problem rrezikon të shfaqet vit për vit në kategorizimin e pagave”, shprehet deputeti demokrat Luçiano Boçi.
Ministria e Arsimit ka reaguar për këtë çështje, duke bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë ulje të pagës për mësuesit që bëjnë pjesë në këtë kategori dhe që janë aktualisht në sistem. Sipas Ministrisë, kjo kategori mësuesish mbrohet nga një vendim qeverie i prillit 2017, sipas të cilit, mësuesit që zotërojnë diplomë universitare ‘Bachelor’ ose të barazvlefshme me të, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën masë të pagës së grupit të parë, që është 14 mijë lekë në muaj.
Në reagimin e saj, Ministria nuk sqaron se çfarë do të ndodhë me nenin 124 të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili nëse nuk ndryshohet, këta mësues do të cilësohen pa arsim përkatës për të dhënë mësim në shkolla me përjashtim të arsimit parashkollor ose do t’u duhet të vijojnë studimin e ciklit të dytë master.
Sipas ligjit, programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsim fillor, organizohen në dy cikle: programi “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor dhe “Master profesional”, për mësues të arsimit fillor. Ndërsa për mësues të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë, nevojitet diploma e ciklit të dytë të studimeve me 120 kredite, sipas fushave përkatëse të formimit.