Një skandal është zbuluar në Gjykatën e Tiranës, ku rreth 300 dosje nuk i janë dorëzuar për rekurs Gjykatës së Lartë. Skandali është zbuluar disa javë më parë, teksa një pjesë e dosjeve po spostoheshin për në magazinat në Lundër, ku dhe do të arkivohen. Bëhet fjalë për rreth 299 dosje civile dhe 1 penale që i përkasin viteve 2008-2015 ndaj të cilave është ushtruar rekurs.
Menjëhere sapo është vënë në dijeni të këtij fakti, kryetarja e Gjykatës Enkeledi Hajro ka urdhëruar marrjen e masave për të vënë në lëvizje rekurset si dhe largimin e personave përgjegjës, kryesekretares dhe një sekretarje. Gjithashtu për kryesekretaren po përgatitet edhe një kallzim penal që do të depozitohet në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim detyre. Veç kallëzimit penal ndaj dy vartësve të shkarkuara, kreu i Gjykatës së Tiranës ka urdhëruar dhe kontrollin e të gjitha procedurave për dosjet e lidhura me rekurset në Gjykatën e Lartë përgjatë periudhës 2008-2015.
Kryesekretarja e Gjykatës dhe një sekretare janë shkarkuar nga puna dhe ndaj tyre po bëhet gati një kallëzim penal, pasi në shkelje të ligjit, kanë mbajtur në arkivin e Gjykatës 300 dosje, ndaj të cilave ishte ushtruar rekurs dhe duhet të dorëzoheshin në Gjykatën e Lartë. Thuajse të gjithë vendimet kishin marrë formë të prerë apo ishin ekzekutuar, duke u mohuar kështu subjekteve fizike e juridikë të drejtën për akses në drejtësi. Pasi është vënë në dijeni të skandalit, kryegjykatësja Enkeledi Hajro, ka marrë masat duke shkarkuar dy nga punonjëset e administratës.
Në urdhrin e shkarkimit të kryesekretares, sqarohet e gjitha situata, e cila mund të konsiderohet si një skandal i paprecedentë në drejtësi. Rezulton se nga ana e kryesekretares nuk është vepruar asnjëherë lidhur me komunikimin e kësaj çështje zyrtarisht pranë titullarëve, që ka rekurse të prapambetura, të pavëna në veprim dhe se personat e ngarkuar nuk e kanë kryer detyrën apo kanë kundërshtuar urdhrat e kryesekretares për t’i dhënë drejtim punës.
Kryesekretarja nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pasi nuk ka kryer si duhet detyrën e saj në mirëorganizimin e punës dhe funksionimin e kryesekretarisë nën drejtimin e saj, duke lejuar shkeljen e dispozitave ligjore urdhëruese, duke mohuar të drejtën e shumë subjekteve fizike e juridike për të patur akses në drejtësi, duke qenë në dijeni të plotë të problematikës nuk ka ndërmarrë minimalisht asnjë hap për të zgjidhur situatën e krijuar”, thuhet në urdhrin e shkarkimit të punonjëses së administratës.
Në shkresën e Hajros, thuhet se për shkak të moskryerjes së detyrës nga punonjësit e ngarkuar me ligj, ka sjellë dëmtim të interesave shtetërore si dhe janë shkelur të drejtave e individëve, palë në proces.
Gjithashtu, kryegjykatësja evidenton faktin se është krijuar një situatë e rëndë procedurale sa i takon menaxhimit dhe administrimit gjyqësore të gjykatës më të madhe në vend, që përballon një fluks të madh çështjesh prej 30 mijë në vit. Po çfarë ka ndodhur me dosjet gjyqësore? Disa prej tyre i kanë kaluar Gjykatës së Lartë, të cilës i duhet të vendosë për këtë situatë të paprecedentë. Po ndërsa individëve dhe subjekteve u është mohuar e drejta, të paktën Prokuroria duhet të hetojë për të zbardhur shkaqet dhe çuar përpara drejtësisë personat përgjegjës për këtë skandal.