Skandal në Portin e Durrësit, një i shumëkërkuar i arratiset policisë

Një i kërkuar që po ekstradohej nga Italia është arratisur në Portin e Durrësit. Bëhet e ditur se, Armando Nikolin Ndreu, 27 vjeç nga qyteti i Shkodrës, i është arratisur Policisë së Durrësit në pikën kufitare. Ndreu, për policinë njihet si person me precedentë penalë, i shpallur në kërkim policor për dy akuza, “vjedhje” dhe “kundërshtim i punonjësit të policisë” është zhdukur pa asnjë gjurmë nga trageti i linjës Bari-Durrës, ndërsa autoritetet prisnin ta arrestonin për akuzat e mësipërme.
Ndreu i shpëtoi prangave sërish mëngjesin e djeshëm, ndërsa pala italiane e kish kthyer me tragetin e radhës, menjëherë pasi shkeli në Portin e Barit. Burimet kanë bërë me dije se, Ndreu është nisur nga Porti i Durrësit mbrëmjen e së enjtes me një biletë për në Bari, dhe nuk është ndaluar nga autoritetet e policisë, pavarësisht se ndaj tij kishte një urdhër-arresti, dhe ishte i shpallur në kërkim policor.
Ndreu, mëngjesin e së premtes, sapo ka kërkuar të vulosë pasaportën në Bari tek autoritetet, është ndaluar. Karabinierët italianë nuk kanë lejuar hyrjen e tij në shtetin italian dhe e kanë dërguar sërish për në Shqipëri.
Trageti ka mbërritur në orën 8:00 të mëngjesit, kohë kur kanë zbritur të gjithë pasagjerët, por vetëm personi, i cili ishte i shpallur në kërkim nuk ka mundur të identifikohet nga policia. Në kushte të tilla, kur një person i shpallur në kërkim nuk ka zbritur në port, në kërkim janë vënë të gjithë autoritetet. Sipas burimeve, dyshohet që i riu të ketë zbritur nga trageti dhe të jetë larguar nga terminali i ndihmuar nga ndonjë person tjetër. Pritet që për largimin e 27-vjeçarit drejt Italisë, të merren masa ndaj oficerëve, të cilët kanë bërë kontrollin e kanë firmosur pasaportën e tij.
Policia sqaroi se në tragetin “RIGEL II”, të linjës Bari-Durrës, në listën e personave të kthyer nga vendet Shengen figuronin 11 persona të rritur dhe 2 të mitur. Me mbërritjen e tragetit është marrë praktika nga përgjegjësi i turnit të Policisë Kufitare me qëllim marrjen në dorëzim të personave INAD, por nga verifikimi fizik i personave ka rezultuar se nga personat e kthyer INAD mungonte 27-vjeçari Ndreu, i cili kishte ekspuls në zonën Shengen.
Menjëherë përgjegjësi i turnit ka vënë në dijeni agjentin e Agjencisë në lidhje me këtë fakt dhe i është kërkuar që të njoftojë kapitenin e tragetit për mungesën e shtetasit të mësipërm.
Nga ana e Policisë Kufitare u morën masa dhe u përforcua shërbimi, me qëllim kontrollin e imtësishëm të mjeteve dhe pasagjerëve, për të bërë të mundur kapjen e tij në hyrje. Deri tani nuk rezulton që personi në kërkim të ketë dalë nga trageti.
Nga verifikimet në sisitemin TIMS rezulton, se Ndreu më datë 08.06.2017 është shpallur person në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Shkodër ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest me burg” për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, në bashkëpunim, parashikuar në nenin 236/2 të Kodit Penal.

Artikulli paraprak10 vite nga vizita e Bush, Basha: Si kryeministër do forcoj lidhjet me SHBA
Artikulli tjetërMinistrja Vukaj kontroll në dogana: “Respektoni Kodin Zgjedhor”!