Skandal në QSUT/ Drejtori Enkeled Joti reklamon biznesin e tij (Dixhitalb) në urgjencën e fëmijëve

Enkejeld Joti, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka gjetur një mënyrë për të reklamuar falas biznesin, ku ai është aksioner, në ambjentet publike nën menaxhimin e tij.
Joti, ish-drejtori jetëgjatë i “Top Channel”, u emërua me kërkesë të mikut të tij, kryeministrit Edi Rama në postin e kryemenaxherit të spitalit më të madh në vend, në mars 2017. Ndërkohë, Enkelejd Joti rezulton edhe aksioner me 3% të aksioneve në platformën dixhitale “Digitalb”.
Logo e “Digitalb” gjendet gjerësisht e reklamuar në ambjentet e reja të Urgjencës së Pediatrisë në QSUT. Në inagurimin e këtij investimi, në korrik 2018, mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka publikuar në profilin e saj zyrtar në rrjete sociale edhe disa foto nga ambjentet e reja.
Pikërisht, në fotot e publikuara nga ministrja Manastirliu, dallohet qartësisht se, që në hyrje të Urgjencës së re të Pediatrisë gjendet logoja e kompanisë private “Digitalb”. Gjithashtu, në murët e kësaj ndërtese janë të reklamuara logot e stacioneve televizive të “Digitalb”, të dedikuara për fëmijët, ku bie në sy “Çufo”.
Shumë personazhe të filmave vizatimorë, të gjithë të transmetuar në kompaninë “Digitalb”, ku është aksioner edhe drejtori Joti, gjenden në korridoret e godinës së rikonstruktuar. Prania e elementëve që përfaqësojnë “Digitalb” do të mund të justifikohej, nëse

kompania do të kishte dhënë kontributin e saj financiar për rindërtimin e Urgjencës së Pediatrisë.
Por, e vërteta rezulton ndryshe. Gjatë ceremonisë së inagurimit, ministrja Manastirliu u shpreh se investimi është realizuar në bazë të një projekti qeveritar, në bashkëpunim me Bankën Botërore. “Jemi ambiciozë për të realizuar një ndërhyrje që do t’i ndryshojë krejtësisht pamje Pediatrisë këtu në QSUT, investimi madhor rreth 8 milion euro në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare me Bankën Botërore, që do të rehabilitojë dhe zgjerojë Pediatrinë. Falë kësaj ndërhyrje, që do të nisë këtë vit, do të kemi një spital pediatrik modern, sipas standarteve europiane”, u shpreh Manastirliu.
Pra, është e qartë se “Digitalb” nuk ka dhënë asnjë kontribut financiar për ristrukturimin e godinës. Por, nga ana tjetër, kompania e drejtor Enkelejd Jotit ka gjetur mundësinë të shfrytëzojë këtë hapësirë publike për përfitimet e saj.
“Boldnews.al” ka parë nga afër ambjentet e Urgjencës dhe, në asnjë vend të dukshëm, nuk është përshkruar se cili është angazhimi i “Digitalb” në spitalin më të madh të fëmijëve në Shqipëri që të meritojë të vendosë logon e tij në çdo ambjent të mundshëm të spitalit.
Më së paku, reklamimi i logos “Digitalb” dhe figurinave të tij është një rast konflikti i pastër interesi i drejtorit Joti. Ai është prej vitesh aksioner në “Digitalb”, së bashku me të tjerë persona. Bordi Drejtues i kompanisë ka për Kryetare Vjollca Hoxhën, administratoren aktuale të Top Channel.
Pavarësisht se Joti u largua pas një konflikti me Vjollca Hoxhën, ata sërish e gjejnë mënyrën për të reklamuar produktin e përbashkët. Joti, i cili ka nën administrim një hapësirë të madhe territori në QSUT, duket se nuk e ka aspak problem që të gjejë të gjitha format për të shndërruar një investim publik, në një arenë për publicitetin e kompanisë ku ai vetë është aksioner.

“Boldnews.al”

Exit mobile version