Lënia e pacientëve të sëmurë në mëshirë të fatit në dyert e spitaleve dhe vënien e këtyre të fundit në dispozicion të shërbimit të njerëzve pranë pushtetit është denoncuar ashpër dje nga një gazetare, e cila ka bërë të ditur se si lihen pacientët të torturohen, ndërkohë që e gjithë vëmendja spitalore me urdhër të ministrit i kalohet njerëzve që janë të veshur me pushtet. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho është shtruar në spital për shkak të problemeve shëndetësore. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Emanuela Sako, e cila në një postim në Facebook shkruan se, Braho është vizituar në urgjencën e QSUT dhe po merr një trajtim special nga stafi mjekësor. Duke bërë dallimin me pacientët e tjerë, gazetarja tregon sesi infermieri i dehur i ka dhunuar pacientët që nuk kishin pranë familjarët.
Statusi i gazetares Emanuela Sako:
Qelbësirat e politikës sot mbasdite dezinfektuan urgjencën e QSUT nga infeksionet spitalore. Nuk është kaq filozofike, por po e shpjegoj. Spartak Braho pëson një krizë me frymëmarrjen gjatë pasdites dhe po trajtohet në reanimacion pranë Urgjencës së QSUT. Nga frika se mos e lërë fryma shumë miq e shokë, përfshirë dhe dora vetë, ministrin Beqaj, kanë ngritur urgjencën në këmbë për të mobilizuar mjekët dhe stafet mjekësore për t’i shërbyer këtij të “madhit”. Me të hyrë deputeti në reanimacion vendosen rregulla të forta, ku nuk lejohet hyrja e askujt brenda. Mjekët dhe infermierët janë të gjithë në gatishmëri dhe pranë pacientëve, korridoret ndrijnë nga pastërtia. Deputeti vendoset në një dhomë më vete dhe kushdo e viziton përtej xhamit, se helbete na merr ndonjë infeksion dhe iku shëndetësia e Beqjes. Që të kuptohemi nuk kam gjë me Brahon, ai ishalla shërohet. Por me këta plehrat, kur të tjerët po i vdesin nga viruset dhe infeksionet, duke i lënë nga 10 veta në një dhomë dhe i sëmurin nga infeksionet përveç, faktit që luftojnë çdo ditë me vdekjen. Kam 12 ditë që shkoj në këtë reanimacion për njeriun tim dhe nuk e kisha parë asnjëherë këtë vigjilencë. Këta plehrat e rëndomtë që vetëm njerëz nuk janë, i torturojnë pacientët gjatë natës kur nuk kanë të afërmit pranë. U bërtasin dhe i dhunojnë (ndoshta jo aq sa për t’u lënë të nxira), kur ata në luftë me vdekjen mbledhin forcat për të hequr tubat e frymëmarrjes. Ju betohem që e kam parë me sytë e mi kur infermieri përleshej me një burrë, cili për sytë e mi ishte i vdekur, por krahët i lëvizte dhe infermieri i thoshte: “O kafshë po të them mos i lëviz duart ore. Ore dëgjon t’i apo t’i thyej krahët etj”. U shokova të them të drejtën. Duke qenë se unë dhe bashkëshorti kishim frikë se mos i bënte gjë njeriut tonë e thirrëm dhe i thamë të na e kishte kujdes. Por më kot, ai qelbte era alkool. Aty vërtetuam hamendësimin se përse çdo natë dhoma e personelit qelbte era raki (ju siguroj që nuk ishte era e ilaçeve). E ndërkohë që njeriu im aty brenda përveçse lufton me sëmundjen i duhet të luftojë edhe me këto halle. Për më tepër është prekur dhe nga infeksionet e marra aty brenda, gjë që i ka vështirësuar mbajtjen në jetë. Brenda hyn kush të dojë dhe sa herë të dojë, pa asnjë lloj kujdesi higjienik. E ndërsa sot, shfaqet një deputet dhe një ministër për të ndryshuar për një mbasdite gjithçka. Stafi në këmbë, hyrja e kufizuar. Për më tepër janë shtuar masat për ruajtjen e higjienës. Sot, nuk u lejua hyrja me këpucë me baltë, por këpucët u futën nëpër qese. Mbi rroba ishte e detyrueshme pelerina etj., etj. Çfarë t’ju them, çdo gjë ishte model, por dua t’ju them o njerëz mos i lini asnjëherë të afërmit tuaj vetëm në reanimacion, sepse ata i vrasin. Duke përfituar nga rasti se nuk janë në gjendje të reagojnë dhe për më tepër që ne nuk e kemi kulturë kryerjen e ekspertizës (pa lëre se si e bëjnë), këta kafshë luajnë me jetën. Ne jemi kthyer në radhë të parë në roje nate e dite, pastaj për të mos folur që çdo gjë e blemë vetë dhe mjekun e thërrasim vetë se mos kalon orari i ilaçeve dhe të shohin aparaturat se mos ndodh gjë.