Policia e Shkodrës, ka njoftuar se janë goditur dy raste ku punonjësit e Postës dhe të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Pukës, kanë abuzuar me financat, pasi u kanë paguar pension edhe shtetasve, të cilët janë ndarë nga jeta. Policia bën me dije se 5 persona, punonjës të Postës Shqiptare në Pukë, janë referuar në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Pukë, pasi dyshohet se u kanë paguar pension edhe pas vdekjes 7 shtetasve.
Në po këtë rreth, një tjetër rast i një abuzimi është raportuar, ku bëhet me dije se në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë janë referuar edhe dy shtetas të tjerë me iniciale A.L dhe N.M, gjithashtu punonjës së Postës Shqiptare në filialin Pukë, pasi dyshohet se i kanë paguar pension pas vdekjes 4 shtetasve.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 30.06.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë, për shtetasit me iniciale D.H, D.K, D.SH, B.A dhe M.B, punonjës të Postës Shqiptare, filiali Pukë, pasi dyshohet se duke qenë në këtë detyrë ju kanë paguar pensionin dhe pas vdekjes 7 shtetasve, duke i shkaktuar Sigurimeve Shoqërore dëme financiare në Nenet 248 e 135 të Kodit Penal.
Më datë 30.06.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë, për shtetasit me iniciale A.L dhe N.M, punonjës të Postës Shqiptare, filiali Pukë, pasi dyshohet se duke qenë në këtë detyrë ju kanë paguar pensionin dhe pas vdekjes 4 shtetasve, duke i shkaktuar Sigurimeve Shoqërore dëme financiare në Nenet 248 e 135 të Kodit Penal.