Procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për Byronë Kombëtare të Hetimeve është dërguar në Gjykatën Administrative, për shkak se një prej personave që është skualifikuar, ka hedhur akuza për garë të pandershme.
Kandidati që nuk është përzgjedhur, kërkon që procesi të shpallet i pavlefshëm.
Burimet theksojnë se edhe të tjerë kandidatë deklarojnë se janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.
Procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për hetues të BKH u përshëndet dhe nga ana e ambasadës amerikane në Tiranë, dy ditë më parë.
Burime për “News 24” bëjnë me dije se një prej aplikantëve, duke e konsideruar të padrejtë skualifikimin e tij nga gara, kërkon që procesi të shpallet i pavlefshëm.
Nga 403 kandidatë për Byronë Kombëtare të Hetimit, vetëm 103 kandidatë kanë arritur që ta kalojnë testin e aftësive fizike, 300 prej tyre janë skualifikuar.
Këta kandidatë do t’i nënshtrohen testit të esesë me shkrim ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa pas testit të esesë, i pret vetingu dhe makina e së vërtetës.