Skandal/Publikohen mesazhet si ambasadori Soreca raporton tek Rama për Bashën

Ka qenë vetëm një moment pakujdesie që ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka hapur telefonin gjatë një ceremonie me rastin e publikimit të Raportit të Progresit, por pa dashje ka zbuluar edhe një pjesë nga bisedat e tij me kryeministrin Edi Rama. Ekrani i telefonit të diplomatit italian është i mbushur me mesazhe dhe sinjalizime, por ai zgjedh të shohë çfarë shkruan në WhatsApp kreu i qeverisë shqiptare.

Pamjet janë publikuar nga ABC News, por lapsi.al ka mundur të deshifrojë një pjesë të komunikimit mes Ramës dhe ambasadorit Soreca. Bëhet fjalë për një bisedë të zhvilluar pak ditë më parë dhe është Rama ai që i dërgon një raport të situatës nga i cili zbulohet një fjali ku thuhet se “…Basha do të humbiste mbështetjen e ndjekësve të tij më të fortë”.
Më pas Rama përmend kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu që nuk kuptohet ku ka kërkuar të shtyhen zgjedhjet lokale me 6 muaj.

“4. Mediu u ndal në lidhjet ndërmjet Ramës dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit: e vetmja mënyrë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme ishte që të shtynin zgjedhjet (me gjashtë muaj) dhe të fokusoheshin në kushtetut…” – i shkruan Rama në anglisht, ambasadorit Soreca. Ky i fundit i është përgjigjur shkurt në italisht me fjalët: “Çmenduri”.
“E pe?” – ia kthen Rama?

“Po, e pabesueshme” – e mbyll bisedën ambasadori i BE-së. Në telefonin e këtij të fundit më pas është një mesazh i ditës së mërkurë ku ai e uron Ramën për vendimin e Komisionit Europian që rekomandoi çeljen e negociatave. I gjithë ky komunikim, ndonëse vetëm një pjesë mjaft e vogël, tregon se çfarë ndodh në prapaskenën e krizës politike, ku janë të përfshirë politikanë dhe ambasadorë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKrerët e policisë, të pirë me uiski dhe vodka i nxorën pistoletën deputetëve të opozitës, foto në polici