Ministria e Shëndetësisë ka raportuar pesë jetë të humbura nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa vihet re se mungon rasti i arkitektit 28-vjeçar Geri Lika. Familjarët e tij e cilësuan si viktimë të Covidit duke shpërndarë lajmet rreth tij në rrjete sociale, teksa shprehnin dëshpërim për humbjen e tij.
Mbetet e paqartë përse Ministria e Shëndetësisë nuk e ka raportuar rastin e të riut, ndërsa miqtë e tij në rrjete sociale thonin se ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si Covid 2.
Një tjetër rast që mungon në raportim është drejtori i Drejtorisë së Punëve të kryeqytetit, Feti Fanaj. Që prej më shumë se një muaji, Feti Fanaj, i prekur nga koronavirusi, ishte nisur drejt Turqisë, ku përgjatë tre javëve të fundit mbeti i intubuar dhe nuk ia doli dot ta mposhte virusin.
Feti Fanaj ndërroi jetë ditën e djeshme në 1 të natës në një moshë mjaft të re, vetëm 45-vjeç. I shtruar në spital në Turqi, ai as nuk e mori vesh që një javë para se ai të mbyllte sytë, babai i tij ishte ndarë nga jeta po ashtu.
Nuk dihet ende përse Ministria e Shëndetësisë nuk i përmend në përditësim këto raste dhe nuk ka një sqarim për humbjen e personave kaq të rinj në moshë. Të kontaktuar nga Fax News, Ministria u shpreh se raportohen vetëm rastet që vijnë nga spitalet Covid.
Kjo lë të kuptohet se nëse të infektuarit ndërrojnë jetë në shtëpi ose jashtë vendit, nuk raportohen në përditësimin e Ministrisë e Shëndetësisë.