Rama, lista të zeza si të Gestapos për gjyqe publike

Pa asnjë provë, asnjë fakt, pa hetim administrativ apo vendim gjyqësor Rama ka nisur spastrimin e drejtësisë nga njerëzit që nuk i shërbejnë interesave të tij. Ai ka marrë vet në duar procesin e vetingut, ndërsa nisi dje gjyqin publik ndaj zyrtarëve, intelektualëve, gjyqtarëve e prokurorëve që nuk i shërbejnë interesave të tij ashtu si edhe ndaj 100 zyrtarëve të administratës që atij i duken të papërshtatshëm në mbajtjen e pozicioneve që kanë.
Listat e zeza të Ramës janë të ngjashme me ato të diktaturave, të ngjashme me ato të Gestapos së Hitlerit dhe me ato të Enver Hoxhës. Linçimi publik i zyrtarëve, intelektualëve dhe njerëzve të drejtësisë nuk ka ndodh askund, por vetëm në vendet me junta ushtarake, të cilat kanë instaluar regjimet autoritare.
Rama ka paralajmëruar dje nisjen e gjyqeve popullore, ku nuk ka rëndësi ligji, por ajo çfarë thotë dhe mendon lideri suprem. Ai vendos se kush është i korruptuar, ai vendos se kush duhet dënuar dhe ai vendos edhe sa vlen jeta e tjetrit. Ky është fundi i një shteti të së drejtës dhe fillimi i një kaosi dhe anarkie diktatoriale ku drejtësia vihet nën këmbët e një njeriut shtet.
Ndërkohë që vetingu sapo ka nisur, kryeministri Rama ka dalë me një listë të zezë me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve të padëshiruar prej tij. Rama nuk ka pasur nevojë të komunikojë fshehtas me strukturat që do të bëjnë vetingun. Ai e ka shpallur publikisht se kush do të jenë njerëzit që nuk dëshiron të mbeten në gjyqësor.
Në listën e publikuar dje nga Rama renditen 30 gjyqtarë, prokurorë, noterë dhe përmbarues, për të cilët kryeministri kërkon t’i largojë nga sistemi i drejtësisë, duke kompromentuar gjithë procesin e vetingut, i cili aktualisht është duke u marrë konkretisht me verifikimin e pasurive të anëtarëve të sistemit të drejtësisë. Duke vendosur sistemin e drejtësisë tërësisht në gijotinë, Rama nuk po bën gjë tjetër veçse po përforcon instalimin e regjimit diktatorial në Shqipëri, duke u përpjekur për të vendosur tërësisht nën kontrollin e tij edhe sistemin gjyqësor. Ky është një akt skandaloz, i cili dublon dhe dikton tërësisht procesin e vetingut.
Kjo, pasi aktualisht institucionet e administratës shtetërore kanë filluar punën për kontrollin e pasurive të punonjësve të institucioneve të drejtësisë, të cilët do të verifikohen nëse kanë bërë deklarime të sakta të pronave të regjistruara dhe parave që kanë në bankë. Në media janë publikuar dy kopje të shkresave konfidenciale që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka çuar në zyrën qendrore të hipotekave, ku kërkon verifikimin për dy kategori: 13 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorëve dhe Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve, si dhe 775 gjyqtarët e prokurorët të punësuar në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Në letrën zyrtare të dërguar pranë Hipotekës, ILDKPI kërkon që të nisë menjëherë vettingu për anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së, pasi puna për ta fillon në shtator.
Pas tyre, radha e verifikimeve do të jetë për magjistratët e tjerë. Kërkesa e firmosur nga kryeregjistruesi për anëtarët e këtyre organeve mban datën 30 qershor, ndërsa kërkon të dhëna për pasuritë që kanë krijuar deri më 16 janar 2017-të, kohë kur ka përfunduar edhe afati për dorëzimin e formularit të Vettingut. Përveç regjistrimit të pronave në emër të tyre dhe pjesëtarëve të familjes, ILDKPKI kërkon informacion edhe nëse ka patur shitje apo ndryshime të pronësisë gjatë kohës kur kanë dorëzuar të dhënat. Në urdhrin që kryeregjistruesi i ka dërguar administratës së Hipotekës, kërkohen që të gjithë të dhënat të dokumentohen brenda 5 ditëve, përndryshe do të merren masa të rrepta administrative.
Por i gjithë ky proces rrezikon të hidhet në erë nga vetë Rama, i cili po përpiqet që të diktojë tërësisht procesin e vetingut, duke shpallur publikisht emrat e gjyqtarëve dhe prokurëve që ai i sheh si kërcënim në goditjen e aferave, vjedhjeve dhe korrupsionit të tij dhe njerëzve pranë tij.

Reagimi i Manjanit: Listat, akti i parë i diktaturës

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ndaj publikimit të listave me emrat e zyrtarëve që kryeministri Rama ka bërë nisur nga denoncimet e qytetarëve. Këtë akt, Manjani e ka cilësuar si aktin e  parë të diktaturës. “Akti i parë i diktaturës. Komiteti Qëndror i Rilindjes, me në krye shokun Edi Rama, shpalli sot dënimin për disa nëpunës të shtetit! Ndër ta edhe gjykatës e prokurorë! Reforma në Drejtësi kapitulloi, së bashku me vetingun! Askush nuk do ta besojë në pavarësinë e strukturës së vetingut, pas këtij linçimi publik të emrave që bëri mrekullia kushtetuese e Shqipërisë! Drejtësia popullore e popullit të Facebook tashmë është në veprim!”,shkruan Manjani.

Mjeku i njohur në botë Mentor Petrela në Listën e Zezë

Krahas listës, Kryeministri Edi Rama publikoi edhe një listë me 100 emra, që janë denoncuar për abuzime në administratë. Pjesë e listës së publikuar nga kreu i qeverisë është edhe emri i mjekut të njohur, Mentor Petrelës. Edhe pse i njohur ndërkombëtarisht, neurokirurgu i njohur është denoncuar nga qytetarë anonimë pas kërkesës publike të kryeministrit Rama për të denoncuar këdo në administratë që ka bërë shkelje. Shefi i Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Profesor Mentor Petrela, u zgjodh në shkurt 2014 ndër 100 kirurgët më të mirë të botës. Për vite me radhë, Mentor Petrela ka qenë pjesë e strukturave botërore akademike, duke dhënë kontributin në kërkimin shkencor nëpërmjet publikimeve, nëpërmjet ligjërimit në konferencat e mbajtura gjatë këtyre dekadave.

Artikulli paraprakPlagosen me armë dy të rinj në Tiranë
Artikulli tjetërAsnjë koalicion mes PD dhe Ramës