Skandal! Shitja e cigareve vetëm në kioskat e Veliajt

Kryetari Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ndalon tregtimin e cigareve në dyqane dhe supermarkete për të favorizuar kioskat e miqve të tij që ka montuar në të gjitha kryqëzimet e rrugëve dhe në të gjitha hapësirat publike në Tiranë. Tashmë askush nuk ka mundësi të blejë cigare në dyqane, por vetëm në kioskat e Veliajt. Ky veprim që përbën jo vetëm një aferë korruptive, por edhe një skandal të radhës, është kundërshtuar nga tregtarët, por edhe opinioni publik.
Të gjithë ata që e pijnë duhanin duhet të drejtohen për tek kioskat e miqve të Veliaj për të blerë cigare. Kioskat e miqve të tij, Veliaj ka urdhëruar që të mos paguajnë asnjë taksë, nga rreth 150.000 lekë që do të duhej të paguanin sipas taksave të Bashkisë. Kur rriti taksat me 10-fish të hapësirës publike, Veliaj shqetësohej shumë për bllokimin e trotuarit, prandaj i rriti taksat, ndërsa për kioskat e tij nuk vendos taksa.
Me urdhër të Veliaj, Policia Bashkiake ka nisur një aksion për të larguar tregtarët ambulantë të shitjes së cigareve duke i orientuar qytetarët që të blejnë cigare në kioska. Veliaj “pastroi” rrugët e kryeqytetit nga shitësit ambulantë me anë të Policisë Bashkiake, duke ngritur bizneset e “miqve” të tij.
Policia Bashkiake ushtroi dhunë ndaj një tregtareje ambulante që po shiste cigare në afërsi të qendrës së Tiranës. Policët e Veliajt i kanë marrë edhe paketat e duhanit që tregtarja kishte nxjerrë për t’i shitur për të siguruar bukën e fëmijëve. Policët i rrëmbyen mallin, ndërsa gruaja ka filluar të thërrasë. Gruaja po shiste një numër të vogël paketash dhe i përket një grupi nevojtarësh në Tiranë, që shesin në rrugë në pamundësi për të gjetur mundësi tjetër jetese.
Tirana është pushtuar nga kioska gjigante të vendosura vend e pa vend, pa dashur t’ia dijë nëse po bllokon trotuarin apo korsitë e biçikletave dhe këto hyjnë tek hapësirat publike. Politika e kioskave nuk është as më shumë e as më pak sesa monopolizim i tregut të rrugës, duke dëbuar kështu të gjithë tregtarët e vegjël, që dalin për bukën e gojës dhe jo për t’u pasuruar, ndryshe nga qëllimi i kioskave moderne të vendosura nga Bashkia e Tiranës.
Pas reagimit të qytetarëve kundër kioskëzimit, Veliaj mashtroi duke deklaruar se, “në të gjithë Tiranën janë rreth 50-60 kioska dhe se këto u përkasin kompanive të ndryshme”, por në fakt e vërteta qëndron ndryshe. Në rrugët e Tiranës janë rreth 1 mijë kioska, pas të cilave qëndrojnë vetëm dy kompani, ndonëse Veliaj pretendon se janë gjashtë të tilla. Ky është një mashtrim i Veliajt, sepse veç 300 metra është nga lodrat e rrugës së “Elbasanit” e deri tek kryqëzimi i “Partizanit të Panjohur” dhe kanë mbirë 7 kioska të reja! Ata që për zënie hapësire publike arrestojnë hallexhinjtë me 1 arkë me perime, kanë zaptuar tokën e pronarëve denbabaden për të ngritur monopolin e kioskave për interes të xhepit vetiak. Tek lodrat e rrugës së “Elbasanit” janë ngritur 2 kioska, tek kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me Lanën ka prapë 2 kioska në secilën anë të Lanës, pak më sipër pranë qendrës “Toptani” prapë një e madhe, prapë një tjetër tek “Partizani i Panjohur” dhe e shtata tek kryqëzimi! Çmenduri, babëzi, dhunë ndaj sipërfaqeve publike dhe pronave private për të vjedhur me leje njerëzit e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Ka pasur shumë raste denoncimesh nga qytetarët për zënien e hapësirave publike në kryeqytet, por si gjithmonë Policia Bashkiake i ka injoruar.

Exit mobile version