Turqia nuk do t’i lejojë tifozët e Shqipërisë të hyjnë në stadium për ndeshjen e sotshme me fjamuj ‘Authoctonues” apo të Kosovës, banerët e tifozëve ultras apo çfarëdo pankartë që s’ka të bëjë direkt me flamurin e Shqipërisë, shkaku i një ligji sportiv në Turqi.
Shqipëria ka udhëtuar në Turqi dhe sonte në orën 20:45 do ta zhvillojë ndeshjen në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, për t’i mbajtur gjallë shpresat për ta arritur këtë turne.
Megjithatë, para kësaj ndeshjeje, shumë tifozë shqiptarë kanë mbetur të zemëruar nga njoftimi se flamujt ‘Authoctonus”, ata të Kosovës dhe shumë materiale të tjera s’do t’i lejohen brenda në stadium.
Njoftimi i plotë i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë opinionin publik dhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë në stadium mbrëmjen e sotme për ndeshjen Turqi-Shqipëri, se përtej gjithë insistimit dhe kërkesave të vazhdueshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes, një pjesë e materialeve të tifozëve nuk mund të lejohen në stadium. Turqia ka një ligj sportiv që nuk lejon vendosjen e shumë materialeve në stadium.
Kemi marrë konfirmimin se do të lejohen daullet për çdo grupim, flamurët shqiptar dhe shallet me logon e flamurit Kombëtar. Nuk lejohet asnjë megafon, baner ultrasësh i çdo tifogrupi, baner me imazhe personale, veshje që nuk kanë lidhje direkte me flamurin kuqezi siç mund të jenë ato me imazhin Autochtonus.
Nuk lejohen çantat e krahut dhe të shpinës, të gjithë duhet ti lënë në hotel ose në autobusat më të cilat udhëtojnë, pasi nuk është mundësuar një pike grumbullimi për ruajtjen e tyre. Lajmërojmë tifogrupet e organizuara se nisja për në stadium do të bëhet në orën 18:00, për arsye të kontrollit të rreptë që do të ushtrohet në 3 pikat e kontrollit përpara hyrjes në stadium. Brenda stadiumit do të gjeni pika shitje për freskuese dhe ushqime të shpejta.
Duke ju falenderuar për mbështetjen e pakufishme që jepni gjithmonë ekipit Kombëtar shqiptar, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në mbështetjen tuaj të përhershme.