Uji që ka rrjedhur dje në orët e mesditës në tubacionet e shtëpive të qytetarëve të Tiranës pranë rrugës së “Elbasanit” ka qenë i ndotur jashtë çdo norme dhe përtej çdo imagjinate. Banorët thonë se kurrë në këto 25 vite nuk kishin parë që uji të vinte në përmasa të tilla të ndotjes. Të alarmuar, banorët kanë marrë në telefon Ujësjellësin e Tiranës, nga i cili nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Fillimisht punonjës të ujësjellësit kanë kërkuar asistencën e inxhinierëve. Ndonëse kanë kaluar orë nga ankesat e banorëve nuk ka pasur asnjë reagim dhe përgjigje nga Ujësjellësi.
Pasi kanë marrë shqetësimin e banorëve dy specialistët kanë marrë në vend mostrat e ujit të ndotur. Ata thanë se do t’i dërgojnë mostrat në laborator për të parë nivelin e ndotjes. Banorët thonë se uji ishte në ngjyrë kafe dhe vinte erë. Situata paraqitet mjaft problematike në Tiranë për ujin. Prej ditësh qytetarët ankohen për mungesa të ujit të pijshëm. Uji nuk ka presion dhe katet e larta po vuajnë mungesën e ujit. Mungesa bëhet akoma më problematike për faktin se shumica e qytetarëve i mbajnë depozitat me ujë në taracat e pallateve dhe uji i lëshuar nga ujësjellësi nuk ka presion që të ngjitet tek depozitat edhe kjo ndihmohet nga pompat që qytetarët kanë vendosur në pallatet e tyre.
“Kemi tre ditë pa ujë. Sot që na erdhi në orët e pasdites ishte i gjithë ngjyrë kafe. Ky ujë të bën pis dhe është i rrezikshëm për këdo. Habitemi se si ka mundësi që Ujësjellësi të hedhë në tubacione një ujë që ka këto parametra të ndotjes”, thotë një nga banorët e shqetësuar.
Vetëm pak ditë më parë, Bashkia rriti çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 33% me pretendimin se do të ndikonte për përmirësim të furnizimit me ujë të qytetarëve të Tiranës. Në fakt ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm që nuk ka pasur asnjë përmirësim në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve, por situata është përkeqësuar. Uji që shpërndahet në tubacione nga ujësjellësi nuk mundet kurrsesi të konsiderohet i pijshëm, atëherë përse Bashkia e trafikon këtë ujë të ndotur si ujë të pijshëm? Cili është standardi që Bashkia përdor për qytetarët e Tiranës? Nëse ky ujë është i pijshëm atëherë Lali Eri le të pijë një gotë nga ky ujë që po u servir banorëve të Tiranës.
Kemi të bëjmë me një krim ekologjik. Imagjinoni sikur ky ujë me nivel të tillë ndotje të ishte shpërnardë në ndonjë qytet tjetër të Europës se çfarë do të ndodhte? I gjithë komuniteti do të ishte ngritur në protesta dhe kryetari i Bashkisë nuk do ta kishte të gjatë më shumë se disa orë pa dhënë dorëheqjen nga posti. E kundërta ndodh në Tiranë. Kryetari i Bashkisë vazhdon pushimet pa e vrarë aspak mendjen se çfarë ndodh. Ai mjaftohet me shpërndarjen e kasetave filmike të regjistruara një muaj më parë në mediat që ka nën kontroll dhe kjo është e mjaftueshme për të shpërndarë këto gënjeshtra për qytetarët.
Bashkimi me ujrat e zeza
Banorët e një prej zonave pranë qendrës së Tiranës denoncuan dje në televizonin Neës24 bashkimin e ujrave të zeza me ujrat e pijshëm gjë që ka sjellë edhe shtrimin në spitalin infektiv të disa prej banorëve. “Nuk di çfarë të them. Uji vinte erë, pastaj na thanë se janë bashkuar ujrat e zeza me ujrat e bardha. Atë uji e kemi në shtëpi. Me atë jemi larë”, tha një prej banorëve për televizionin.
Mjekë dhe infermierë të spitalit kanë konfirmuar shtrimin me urgjencë në spital të disa prej banorëve të cilët janë shfaqur me probleme. Në hyrje të pallatit është vendosur një letër ku shkruhet se uji i pijshëm nuk duhet të përdoret nga banorët.
Raporti
Sipas një raporti të fundit të Këshillit Kombëtar të Ujit, thatësira mund të çojnë në rrëshkitje të dheut, që mund të çajë tubat e furnizimit me ujë dhe të lejojë ndotësit të futen në këto sisteme. Por mund të çajnë edhe sistemet e largimit të ujërave të ndotura, duke shkaktuar derdhjen e tyre në tokë dhe si rrjedhojë të arrijë në ujërat nëntokësore.
Sipas raportit teknik, ndryshimet klimatike ndikojnë cilësinë e ujit përmes një vijimësie të ndërlikuar mekanizmash natyrorë dhe antropogjenikë. Lloji i pellgut ujëmbledhës, gjeologjia vendore dhe përdorimi i tokës, stina, ndotësi i objektit dhe burimet e mundshme të ndotjes në kushtet vendore duhet të merren në konsideratë. Ndryshimi i cilësisë së ujit do të ndikojë negativisht në ekosisteme, shëndetin njerëzor dhe besueshmëri, si dhe kostot e operimit të shërbimeve ujore, shkruan “Monitor”.
Rritja e temperaturës së ajrit, do të ndikojnë gjithashtu në temperaturën e ujit, shtrirja do të ndikohet nga faktorë të ndryshëm si shpejtësia e rrjedhës, avullimi dhe thellësia e ujit. Uji me temperaturë më të lartë ndikon shkallën e proceseve bakteriologjike dhe reaksionet kimike në ujë. Ajo që është më e rëndësishme, kjo temperaturë favorizon rritjen e algave, që në vetvete ul nivelin e ngopjes me oksigjen, duke ndryshuar kështu shtresëzimin e ujit dhe duke intensifikuar eutrofizimin.
Eutrofizimi mund të ndikojë negativisht në cilësinë e ujit, duke ndryshuar transparencën e tij, nivelet e oksigjenit të tretur dhe pehashin, që së bashku mund të kenë ndikime negative në funksionimin e ekosistemit si dhe në shëndetin njerëzor dhe sigurinë, veprimtaritë argëtuese dhe proceset e trajtimit të tij. Eutrofizimi ndikohet gjithashtu nga ngjarje më të shpeshta reshjesh ekstreme, që mund të shpëlajnë lëndët ushqyese, duke i dërguar në trupat ujorë.
Arben SHAHINI