Kompania prodhuese ka kthyer 300 byzylykët elektronikë për të dënuarit shqiptarë, pas presionit nga ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi. Bëhet e ditur se, bashkimi i tre operatorëve ekonomikë “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “Ratech” ka dorëzuar ditën e djeshme rreth 300 byzylykët elektronikë. Pasi u konstatua se, 300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike të të pandehurve me vlerë rreth 2 milionë euro mungonin në Ministrinë e Drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi i bëri thirrje kompanisë që t’i dorëzonte. Edhe pse fillimisht kompania nuk pranoi, duke u justifikuar me një akt të Shërbimit të Provës, në fund vendosi që të dorëzonte mallin për të cilin fitoi tenderin 2 milionë euro.
Mësohet se firma do i dorëzojë byzylykët pranë Sekretarit të Përgjithshëm dhe grupit të punës të ngritur nga Ministria, i cili nga ana e tij do të verifikojë nëse përputhen teknikisht me karakteristikat e përcaktuara në kontratë.
Ministria e Drejtësisë, në muajin maj të këtij viti ka lëshuar alarmin se, institucionit i mungonin 300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike, të personave që kanë masa ndaluese për shkak të konsumimit të veprave penale. Ministri Gazment Bardhi në shkresën e tij dërguar kompanisë kontratuese hidhte dyshime për fiktivitetin e tenderit dhe mos përputhje të pajisjeve me specifikimet në kontratë. Ndërsa bashkimi i operatorëve gjatë korrespondencës që kanë patur me Ministrinë e Drejtësisë pretendonin se, kanë dorëzuar një herë mallin që ministria kishte porositur, duke mohuar se kanë marrë sërish në dorëzim sasinë prej 300 byzylykësh të mbikëqyrjes elektronike.
Në shkresë thuhej se, këto pajisje kompania ia ka kaluar për administrim sallës së mbikëqyrjes elektronike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës. Por ky dorëzim, sipas ministrit Bardhi ishte bërë pa kryer procedurat ligjore të kalimit të kapitalit, nga aparati i Ministrisë së Drejtësisë te Shërbimi i Provës.
Ndërkohë, në datën 11 prill të këtij viti, Shërbimi i Provës nëpërmjet një akti dorëzimi me numër protokolli 834, i dërgoi 300 byzylykët elektronikë sërish bashkimit të operatorëve. Nga ana tjetër, këto të fundit, kërkesës së ministrit Bardhi për t’i kthyer mbrapsht byzylykët iu përgjigjën se kontrata për shitjen e tyre është zbatuar njëherë dhe se Ministria e Drejtësisë i ka marrë në dorëzim. Gjithashtu thuhej se, kërkesa e Bardhit është abuzive për të vënë nën presion bashkimin e operatorëve për qëllime korruptive.
Por pavarësisht kësaj korrespondence, ministri Bardhi konstatoi se institucionit që drejton i mungojnë 300 byzylykë, me një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe se dokumentacioni tregon se këto pajisje po administrohej në mënyrë të paligjshme nga bashkimi i operatorëve dhe jo nga Ministria e Drejtësisë që i ka blerë. Për këtë arsye, Bardhi i paralajmëroi se në rast të mos kthimit të 300 byzylykëve, çështja do t’i referohej Prokurorisë. Kështu, pas presionit të ministrit Bardhi, kompania u detyrua të kthejë pranë Ministrisë së Drejtësisë 300 byzylykët elektronikë për të dënuarit shqiptarë.