Rreth një vit nga arrestimi lidhur me skandalin e vjedhjes së 2 milionë eurove me recetat e rimbursueshme dhe ilaçit ‘Ketosteril’, Gjykata e Tiranës ka liruar në fshehtësi nga burgu pronarin e kompanisë farmaceutike “Omega Pharma”, Nadir Çausholli. Së bashku me të janë liruar dhe disa prej të arrestuarve mbi këtë ngjarje. Gjyqtarët Altin Abdiu, Milena Laska dhe Tereza Lani edhe pse e kanë pranuar fajësinë e të pandehurit Çausholli, sipas kërkesës së Prokurorisë kanë vendosur për të, shërbimin e provës si mënyrë për të vuajtur dënimin.
Çausholli u prangos një vit më parë në tetor 2015, ndërsa vendimi i cili deri më tani është mbajtur në fshehtësi që nga data 27 korrik 2016.
Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, organi i akuzës ka kërkuar 3 vjet burg për biznesmenin Nadir Çausholli për “Falsifikim dokumentash”. Por kjo kërkesë e Prokurorisë duket e lehtësuar, pasi për një vepër penale të tillë mund të kërkohet nga 1 deri në 7 vite burg. Lidhur me veprën penale të “Mashtrimit”, Prokuroria sërish u tregua zemërmirë për Çaushollin, duke kërkuar 3 vjet burgim, pavarësisht se ligji të jep të drejtë të kërkosh dënim deri në 10 vite burgim.
Edhe pse dy vepra penale rëndonin mbi pronarin e “Omega Pharma”, organi i akuzës kërkoi shkrirjen e tyre, duke kërkuar në total 3 vjet burg. Të njëjtën dorë lehtësuese, Prokuroria përdori edhe për 3 punonjësit e tjerë, duke dhënë dënime minimale deri në 2 vite burg. Ndërkohë për kompaninë “Omega Pharma”, Prokuroria vendosi një gjobë prej 50 milionë lekësh (të vjetra) si dhe ndalohet të lidhë kontrata me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për një periudhë 3-vjeçare. Edhe kjo masë ishte tepër e butë në krahasim me dëmin ekonomik prej 2 milionë eurosh që i solli “Omega Pharma” buxhetit të shtetit.
E sikur të mos mjaftonin masat lehtësuese të Prokurorisë, edhe Gjykata nga ana tjetër lehtësoi nga dënimi biznesmenin Nadir Çausholli, duke vendosur pezullimin e dënimit me burgim dhe vënien në Shërbimin e Provës për një periudhë 2 vite e 6 muaj.
Ndërkohë për kompaninë “Omega Pharma”, Gjykata ul dënimin me gjobë, duke e çuar në 33 milionë lekë (të vjetra), ndërsa merr në konsideratë kërkesën e Prokurorisë për të pezulluar bashkëpunimin me FSDKSH-në për një periudhë 3-vjeçare.
Për financieren e “Omega Pharma”, Arjola Piperaj, Gjykata vendosi dënimin me vënien në provë prej 2 vjetësh, edhe pse Prokuroria kishte kërkuar 2 vjet burg.
Të njëjtin vendim lehtësues, Gjykata e Tiranës dha edhe për financieren tjetër Laurta Kushova, duke caktuar vënien në provë prej 18 muajsh. Edhe për menaxheren e shitblerjeve të depos farmaceutike “Omega Pharma”, Blerina Qatja, Gjykata caktoi vënien në provë prej 2 vitesh pavarësisht se Prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burg.
Skandali që tronditi jo pak sistemin farmaceutik në vend, i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 2 milionë eurosh. Këto para nuk u zëvendësuan nga ata që shkaktuan dëmin, por madje sot nuk kemi asnjë të dënuar me burg për këtë vjedhje galopante nëpërmjet falsifikimit.
Si u zbulua skandali prej 2 milionë eurosh?
Gjatë analizës në Drejtorinë e Informatikës dhe Analizës Statistikore (D.I.A.S) pranë FSDKSH-së për muajt prill-shtator 2015 është konstatuar rritje e nivelit të konsumimit të barit me emërtim tregtar “Ketosteril”. Nga të dhënat e DIAS lidhur me shitjen e këtij medikamenti janë identifikuar depot farmaceutike që e tregtonin atë, ku subjektet e vetme importues dhe distributor me të drejtën ekskluzive për tregtimin e tij janë “Rejsi Farma”.
Sipas FSDKSH-së, depoja farmaceutike “Omega Pharma” ka bërë hyrje fiktive të këtij medikamenti në magazinën e saj, pavarësisht se dy kompanitë që kishin ekskluzivitetin nuk raportonin për shtije të medikamentit.
Nga këqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se, këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit Ketosteril me furnitor “Omega Pharma” për periudhën qershor 2013 – maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se, “Rejsi Farma” nuk ka bërë shitje të Ketosterilit tek “Omega Pharma” dhe se ky subjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti.
Nga këqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega Pharma” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura “kesh” me shitje minus. Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet Ketosteril dhe Insulina. Emri i subjektit nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar.
Përsa më sipër, u provua se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.