Skandali 370 milionë euro/ Financat vendosën vetëm pasi morën konfirmim me shkrim nga Veliaj

Projekti i inceneratorit të Tiranës, me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë”, përfshin një procedurë me propozim të pakërkuar për një periudhë 30–vjeçare për financimin, investimin, operimin dhe transferimin.

Raporti i KLSH-së zbulon se fillimisht, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pasi i është paraqitur projekti nga Ministria e Mjedisit, në fund të vitit 2016, ka kërkuar informacion shtesë lidhur me argumentet se pse dhënia e projektit me koncesion paraqet vlerë më të mirë për para, në krahasim me metodën e prokurimit publik.

Financat kanë konstatuar se projekti koncesionar nuk rezulton i planifikuar brenda tavaneve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Mjedisit, sipas pagesave të parashikuara në studimin e fizibilitetit për një periudhë 30-vjeçare nga Qeveria Shqiptare, në shumën 130,883,750 euro pa TVSH dhe nga buxheti i bashkive 91,784,500 euro pa TVSH.

Ministria e Mjedisit ka kthyer përgjigje, duke argumentuar mundësinë e sigurimit të fondeve nga sektori privat (sektori publik është në pamjaftueshmëri fondesh për sigurimin e fondeve për financimin e objektit), aftësitë më të specializuara teknike të sektorit privat, transferimi i një pjese të risqeve të sektori privat, etj.

Për mosplanifikimin e projektit brenda tavaneve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Mjedisit, argumenti ka qenë se, për këtë rast, nuk paguhet koncesionari nga Ministria e Mjedisit, por qeveria subvencionon Bashkinë e Tiranës për pjesën e detyrimeve që lindin ndaj shoqërisë për menaxhimin ton/mbetje.

Pas këmbënguljes së financave që ka kërkuar të planifikohet brenda tavaneve buxhetore vjetore të Ministrisë së Mjedisit të miratuar nga Kuvendi, -Ministria e Mjedisit u përgjigj se nuk do të ketë asnjë financim apo mbulim të detyrimeve të impiantit (privati do ta financojë me fondet e veta) dhe se Bashkia e Tiranës, si autoriteti më i madh i përdorimit të impiantit, do të përballojë shpenzimet e depozitimit të mbetjeve dhe të shpronësimit të tokës me anë të grantit të pakushtëzuar nga qeverisja qendrore, e cila nuk ka tavan të miratuar nga Kuvendi.

Financat kanë kërkuar miratim nga Qarku i Tiranës dhe nga ana e Ministrisë së Mjedisit është paraqitur bashkëngjitur kopje e shkresës së dakordësisë së Kryetarit të Bashkisë së Tiranë, mbi bazën e studimit të fizibilitetit. Në shkresën nr. 3275/1 prot. Bashkia e Tiranës, datë 27/03/2017, në lidhje me dakordësinë është parashtruar që “…Bashkia e Tiranës shprehet parimisht dakord për sa i përket rolit të saj referuar Studimit të Fizibilitetit…”

Bazuar në këto sqarime shtesë, nga ana e MFE me shkresë nr. 13118/9 prot. MFE, datë 06.04.2017 i është kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit, në të cilën është cituar që shprehet pa komente për sa kohë që financuesi dhe përfituesi kryesor i projektit është Bashkia e Tiranës, e cila ka shprehur parimisht dakordësinë (këto terma nuk njihen nga VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/Partneritet Publik-Privat” i ndryshuar).

Por, KLSH ka sqaruar se konstatimi i bërë nga ana e grupit të auditimit lidhet me nevojën për miratim të buxhetit, ndërkohë që observacionet janë paraqitur mbi përgjegjësinë që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore për menaxhimin e mbetjeve.

Në këtë drejtim, duke qenë se projekti koncesionar përfshin përdorimin e fondeve të njësive të vetëqeverisjes vendore të të gjithë Qarkut të Tiranës (duke qenë se analiza në studim fizibiliteti është kryer mbi të dhëna të gjeneruara për këtë Qark), marrja e dakordësisë/miratimit duhet të përfshinte të gjitha ato autoritete publike të cilat janë të përfshira në këtë projekt. MFE nuk mund të miratojë një projekt për të cilin nuk është paraqitur përfshirja në buxhetin e miratuar të njësive të vetëqeverisjes vendore të fondeve që implikojnë zbatimin e projektit, thekson KLSH.

KLSH ka arritur në konkluzionin që projekti koncesionar/PPP nuk është kundërshtuar nga ana e MFE, megjithëse kostot e shpronësimit dhe pagesat e disponueshmërisë nuk kanë qenë të parashikuara në tavanet e shpenzimeve për pjesën e financuar nga qeverisja qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore të Qarkut të Tiranës. Projekti është miratuar, megjithëse shuma e parashikuar dhe mënyra e pagesës së mbështetjes financiare ka qenë e papërballueshme.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë “është shprehur pa komente” për projektin koncesionar/PPP dhe nuk e ka kundërshtuar projektin, megjithëse nuk ka pasur konfirmim nga ana e njësive të tjera të vetëqeverisjes vendore të prekura nga ky projekt, në lidhje me garantimin e sasisë minimale të mbetjeve të trajtuara që do të trajtohen nga projekti.

Studimi i fizibilitetit i ka ndërtuar të gjitha supozimet në lidhje me sasinë e mbetjeve të trajtuara nga Qarku i Tiranës, ndërkohë që miratimi është marrë vetëm për Bashkinë e Tiranës, me dakordësinë në parim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Për rrjedhojë, pagesat e nevojshme për realizimin e shërbimit janë ekspozuar përballë riskut të kërkesës, duke krijuar mundësinë e pagesave për pjesën e kompensimit të sasisë minimale të garantuar, në rast se ajo nuk arrihet sipas parashikimeve.

KLSH konkludon gjithashtu që projekti koncesionar/PPP nuk është kundërshtuar nga ana e MFE, megjithëse në studimin e fizibilitetit janë pasqyruar gabime në drejtim të vlerave të deklaruara për t’u investuar, përcaktimi i tarifës së shërbimit mbi të cilat do të llogariten pagesat nga Buxheti i Shtetit është kryer duke abstraguar nga vlera në kohë e parasë, janë pasqyruar gabime në drejtim të kostos për njësi të tonazhit të disponueshëm, janë konstatuar diferenca në treguesit e vlerës në kohë të parasë (NPV, IRR) dhe disa nga kostot e operimit të projektuara në flukset e nevojshme për projektin janë të paargumentuara.

Çmimi i shitjes së energjisë
Në studimin e fizibilitetit, është projektuar sigurimi i të ardhurave nga shitja e energjisë së prodhuar nga trajtimi i mbetjeve në shumën 133,546,693 euro, me çmimin e parashikuar për t’u shitur prej 70 euro/MËH.

Në dokumentacionin shoqërues të paraqitur për miratim nuk disponohet asnjë evidencë që justifikon aplikimin e çmimit të shitjes prej 70 euro/MËH dhe nga ana tjetër, nuk ka asnjë marrje konfirmimi nga autoritetet publike përgjegjëse për politikat e energjisë. Projektimi i këtij fluksi hyrës është me efekt të përgjithshëm në secilin prej viteve në të cilat është planifikuar që të prodhohet energji dhe njëkohësisht, në përcaktimin e çmimit për njësi për trajtimin e mbetjeve.

“Monitor”

Artikulli paraprakJanë çmendur/ 104 milionë euro shtesë për inceneratorin e Tiranës, arrin në 370 milionë euro
Artikulli tjetërReferendumi/ Paralajmërimi i Metës: Nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për…