Skandali, energjia po blihet 19 euro më shumë për 1 megavat

Ashtu siç ishte paralajmëruar, qeveria po kryen supervjedhjen e radhës me blerjen e energjisë elektrike. Nuk dihet sa është dëmi, por për blerjen e kësaj energjie vetëm për muajin korrik buxhetit të shtetit do i kushtojë rreth 22 milionë euro. Tentativat për tia lënë fajin një herë ish- drejtorit të OSHEE dhe një herë ministrave të propozuar nga Partia Demokratike, nuk ishin gjë tjetër vetëm se një parapërgatitje për të mbuluar atë çka ishte përgatitur me kohë. Revista “Monitor” raporton se OSHEE ka mbyllur tenderin, për blerjen e energjisë, ku çmimi i kontraktuar është 11 euro për megavat më shumë se bursa aktuale. Vetëm për muajin korrik do të importohen sipas revistës rreth 105 mijë megavat, të cilat do të kenë një çmim prej një milion euro më të lartë se ai që duhej të ishte. Në fakt, për shkrimin e saj “Monitor” i referohet bursës hungareze, e cila në kohë piku ka çmimin e  57 euro Megavat orë. Por në rast se energjia do të blihet në bursën bullgare, çmimi rezulton jo pak, por 22 euro më i lirë se ai i kontraktuar nga OSHEE.

Bursat

“Situata e thatësirës dhe nevoja e OSHEE për të importuar me emergjencë, pa planifikimin në avancë ka bërë që edhe çmimi i importit, të rezultojnë 10 euro më i lartë sesa një javë më parë. Konkretisht 1 megavat është importuar me çmimin 68.2 euro, ndërkohë që, një javë më parë, sasia e energjisë së importuar për korrikun rezultoi me një çmim 57.2 euro/MW. Edhe në atë kohë, çmimi, nëse krahasohej me bursën e Hungarisë, të cilës i referohet qeveria në rastet e blerjes së energjisë nga prodhuesit me përparësi, sërish rezultonte me 9 euro më i lartë.
Në datën 5 korrik sipas kësaj burse, çmimi bazë për megavat është 49.45 euro kurse çmimi në pik 56.52 euro/MW. Krahasuar me një ditë më parë, vihet re një rritje e çmimit e nxitur nga situata e përgjithshme dhe kërkesa në rritje edhe në rajon. Diferenca me bursën është 11.7 euro/MW” thuhet në shkrimin e  revistës “Monitor”. Pra, tenderimi i minutës së fundit ka sjellë gjithë këtë humbje, e cila ishte plotësisht e shmangshme. Gazeta “RD” në dy numra të saj ka botuar shqetësimin, se blerja e energjisë elektrike për muajt e pikut duhej të ishte tenderuar që në muajin prill që mos vinte kjo situatë. Por me sa shihet, kemi të bëjmë me veprime apo mosveprime të qëllimshme, të cilat kanë si qëllim blerjen sa më shtrenjtë të energjisë. Shifrat e “Monitor” i referohen bursës hungareze, por me një vështrim të shpejtë shohim se çmimi në bursën bullgare fjala vjen është dhe më i lirë. Në kohën e pikut, atëherë kur do të importohet energjia e djesshme çmimi në bursën e Bullgarisë sipas faqes zyrtare të saj  http://ëëë.ibex.bg/en/, ishte në kohë piku është 46.88 euro që është ora 9 e mëngjesit deri 20 të mbrëmje. Në orët normale 41 euro, dhe jashtë pikut 35 euro. Në fakt OSHEE sipas shkrimit të “Monitor” ka vendosur të blejë energji vetëm në orarin e pikut, ndërsa në orët e tjera, kjo sasi energjie të mbulohet nga KESH.

Shqipëria importon nga Bullgaria

Në fakt, Shqipëria në pjesën më të madhe të saj importon energji nga Bullgaria, jo vetëm për shkak se ky vend është një prodhues i madh energjie, por dhe se linjat e interkonjeksionit janë lehtësisht më të arritshme nëpërmjet këtij shteti, qoftë nga Serbia, Maqedonia apo Greqia. Në fakt “Monitor” i është referuar bursës hungareze, por nuk përjashtohet fakti që kompanitë e kontraktuara ta blejnë atë në bursën Bullgare, e cila sot shënon një çmim prej 22 eurosh më pak se tenderimi që bën OSHEE. Në rast se është kështu, atëherë shqiptarët do të duhet të paguajnë për muajin korrik, për 105 mijë megavat rreth 2 milionë euro më shumë, që sërish mbetet një shifër jo e vogël. Por akoma nuk është parashikuar gushti ku konsumi i energjisë shtohet për shkak dhe se sezoni turistik është në kulmin e tij. Pra, kemi të bëjmë me një veprim të paramenduar, dhe sot faji tenton të hidhet në drejtim tjetër, tek drejtori i propozuar nga Partia Demokratike dhe tek ministrat e saj. Kjo ishte dhe arsyeja se përse u zëvendësua me shpejtësi, ndër të parët Haki Mustafa drejtori i OSHEE.

Favorizohen kontratat e fshehura të klientëve të Ramës

Por çdo të ndodhte nëse kontrata për qershorin dhe korrikun do të lidheshin që në muajin prill. Natyrisht, OSHEE dhe KESH veprojnë me blerjet në bazë të nevojave që kanë sipas muajve të vitit, dhe kjo nuk është ndonjë e re. Por shenjat ishin dhënë. KESH e dinte që nivelet e Fierzës në  fund të prillit ishin më të ulëtat e pesë viteve të fundit dhe nuk reagoi. Me kontratat paraprake natyrisht çmimi nuk do ishte i njëjtë. Në rast se KESH apo OSHEE do të vepronin që në muajin maj, atëherë energjia do ishte së paku 20 euro më lirë se tani. Duket se kemi të bëjmë me një veprim të paramenduar. Pas 22 milionë eurove që do të harxhojë OSHEE nuk përjashtohet mundësia që të përdoren dhe 22 milionë eurot e tjera që janë në dispozicion nga kredia e Bankës Ndërkombëtare për Zhvillim për rimëkëmbjen e sektorit energjetik. Për këtë, Rama po pret mbledhjen më të afërt të Këshillit të Ministrave që ta lëvrojë. Pra deri më tani janë 44 milionë euro për këtë qëllim. Heshtja që ka ardhur për dy muaj e gjysëm nga ana e KESH dhe institucioneve të tjera, s’mund të shpjegohet ndryshe përveç se si favor që po u bëhet klientëve të Ramës në blerjen e energjisë. Të tjerat janë kakofoni e radhës. Ky skandal i paramenduar, në fakt kërkon një hetim të thelluar. Ekziston mundësia që kompanitë, të cilat merren me importin e energjisë të kenë punuar me ato që quhen “kontrata të fshehura”, të cilat nuk janë gjë tjetër vetëm se kontrata të lidhura muaj më parë me çmime të ulta, për t’i shitur më pas, kur çmimi i blerjes është në maksimumin e tij. Pra, për ta sjellë më të qartë dhe më konkret si fakt. Në rast se një njeri prenoton një biletë avioni 6 muaj përpara, atëherë atë do e marrë me gjysmën e çmimit që mund ta marrë në momentin e fundit. Nga specialistët, kjo besohet se ka ndodhur dhe me blerjen e energjisë. Në kompanitë eksportuese të Bullgarisë apo Hungarisë sasia e energjisë që duhet të importohet prenotohet muaj më parë, natyrisht, duke ndjekur dhe një parashikim që vjen nga institucione të specializuara të metereologjisë. Kjo sasi kontraktohet që më parë nga kompanitë dhe ruhet, dhe sa më shumë vonohet tenderimi dhe emergjenca aq më shumë rritet çmimi. Në fakt është pikërisht ajo që ka ndodhur, Shqipëria po blen sot energji me dyfishin e çmimit që mund ta blinte në rast se OSHEE apo KESH do të dilte vetë ta blinte në bursë që në muajin prill.

Exit mobile version