Ish-drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, Pjerin Xhuvani, është dënuar me kusht për skandalin e rimbursimeve të ilaçeve. Megjithëse i shkaktoi një dëm shtetit prej miliona eurosh, drejtësia është treguar dorëlëshuar me zyrtarin e LSI-së. Xhuvani ka drejtuar Fondin si dhe ka qenë kryetari i LSI-së në Elbasan.
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës së 7 korrikut janë dënuar disa të pandehur. Xhuvani, ish-drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, u dënua me 3 vjet burg, por në fund iu konvertua me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale. Ndaj tij u hoq masa e arrestit shtëpiak, e vendosur më 7 qershor 2015, ndërsa i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 3 vjetësh.
Gjykata e Tiranës zbuti dënimet edhe për të arrestuarit e tjerë. Kështu, Hysni Roçi u dënua me katër vite burg. Gjykata ka dënuar Edlira Myrtezain me 3 vjet e 4 muaj burgim. Frida Lamçe u dënua me 1 vit e 2 muaj burgim. Iu hoq masa e arrestit shtëpiak dhe është liruar. Fatbardh Budo u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim. Mimoza Tufi u dënua me 2 vjet burgim, por iu pezullua me kusht. Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar edhe Arens Spahiun, me akuzën e mashtrimit. Edhe ai u dënua me dy vjet burg, por iu konvertua me kusht.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhej se Pjerin Xhuvani, në cilësinë e drejtorit Rajonal të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, ka urdhëruar zyrtarë të tij për të formuluar akte fiktive kontrolli mbi farmacitë e sipërcituara dhe, në përfundim, i ka nënshkruar aktet e kontrollit, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë rimbursimit të padrejtë këtyre subjekteve private.
“Edhe zyrtarët e Fondit, të marrë të pandehur në këtë procedim, pavarësisht se ishin në dijeni të plotë të veprimeve të kundërligjshme, kanë nënshkruar akte kontrolle fiktive (të pakryera) për farmacitë, duke lejuar në këtë mënyrë përfitimin e padrejtë të rimbursimit monetar për subjektet private”, thuhet në dosje.