Skandali i OSHEE me mbifaturimet në Korçë

Mbifaturimet e energjisë elektrike janë kthyer në shqetësim për qytetarët e Korçës. Qytetarët shprehen të revoltuar në lidhje me abuzimet që u bëhen prej kohësh faturave të tyre të energjisë. Një qytetare tregon për “citynews” sesi prej kohësh nuk po gjen zgjidhje në Zyrat e Kujdesit për Klientin për mbifaturimet.
Historia fillon me një mbifaturim në muajin dhjetor 2015, e cila u pasua me një ankesë. Ky muaj kishte të faturuar 1395 kWh dhe fatura kishte vlerën 16 060 lekë. Me depozitimin e ankesës kanë shkuar dy punonjës për të parë sahatin, të cilët kanë pohuar mbifaturimin. Pavarësisht kësaj, përgjigjja e ankesës ishte negative, me arsyetimin “ankesë e bërë me vonesë” dhe gjithashtu edhe muaji në vijim, pra muaji janar 2016 vijoi të kishte të tjerë kWh të konsumuar.
Pasi nuk ka gjetur zgjidhje në rrugë ligjore nëpërmjet ankesës, zonja në fjalë i është drejtuar zyrës së drejtorit të OSHEE-së Korçë, ku e ka pritur vetë Artur Qeramixhi, i cili u vu në dijeni të problemit pas një telefonate që bëri me lexuesen e zonës, Rina Isak, e cila konfirmoi mbifaturimin, por deklaroi se kishte frikë ta raportonte si rast dhe kjo ndoshta për të mbrojtur vendin e punës.
Zgjidhja e vetme ishte faturimi me zero në muajt në vijim, derisa familja në fjalë të shlyente kWh e mbifaturuar. Njëkohësisht do të bëhej edhe shlyerja e faturës së dhjetorit me vlerën 16 mijë lekë. Ndërkohë historia fillon të koklavitet edhe më shumë në muajin prill, kur familjes në fjalë i shkojnë tri fatura, të tria për muajin prill. Shpjegimi i marrë pranë zyrës së OSHEE-së ishte se tani kompania kishte kthyer përgjigje për ankesën e bërë për mbifaturim (ndërkohë më parë ankesa nuk ishte pranuar dhe ishte kthyer një përgjigje negative).
Pagesa e faturës së muajit dhjetor kishte filluar të bëhej me këste, pranë bankës Credins (e cila ka një bashkëpunim me kompaninë OSHEE për pagesat e faturave). Pagesa këto që tashmë nuk figurojnë në sistem. Arsyeja është se kjo familje ka patur një faturë të prapambetur të papaguar, të muajit korrik 2013. Pagesa nuk ishte bërë për arsye se edhe kjo faturë ka qenë faturimi i dy muajve së bashku dhe fatura ka qenë në proces ankimimi. Por përgjigjja për atë ankesë nuk ka ardhur asnjëherë. Duke qenë se familja rezultonte debitore, kompania ka bërë kalimin e pagesave për shlyerjen e vitit 2013 dhe jo për 2015 siç pretendon familja dhe siç duket qartë në mandatet e bankës.
E gjitha kjo është bërë pa vënë në dijeni familjen, të cilët njoftohen vetëm tani që është mbyllur gjithçka. Çdo veprim ka ndodhur nën udhëzimet e supervizores Nertila Kurti, e cila ka këshilluar që në fillim që të ribëhej një riankesë për faturën e 2013-tës dhe ajo do të bashkëngjitej me ankesën e re të mbifaturimit të dhjetorit 2015. Kjo ka qenë ndoshta edhe arsyeja e mospranimit të ankesës së mbifaturimit nga ana e kompanisë me mbishkrimin “ankesë e bërë me vonesë”. Pas 4 muajve kompania kujtohet të kthejë një përgjigje për ankesën e bërë në muajin janar, e për më tepër bëhen arkëtime sipas interesave të kompanisë, pa dijeninë e familjes. Ndërkohë që në fund të historisë, vetë supervizorja shprehet se këto janë rregullat e kompanisë. Por ajo nuk e ka informuar familjen për këto rregulla apo për mënyrën sesi funksionon sistemi i pagesave në kompani, madje e ka këshilluar në atë mënyrë që gjërat të shkonin kështu siç shkuan. Kjo për disa arsye: ose për shkak të mungesës së informacionit nga ana e saj, ose për shkak të paaftësisë, ose qëllimisht.

Exit mobile version