Skandali i pagave/Basha: Tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria, një shtet i kapur nga të korruptuarit, i rrënuar deri në tullën e fundit.

Skandali i publikimit të pagave tregon pabarazitë e thella që janë krijuar midis njerëzve të punës dhe atyre që përmes marrëdhënies së tyre me pushtetin, vetëm vjedhin, u shpreh kreu i PD nga Dibra.

‘’Të gjitha këto halle, probleme, dhimbje të përditshme të shqiptarëve, janë bërë edhe më të rënda nga pandemia, e cila na ka marrë nga gjiri familjeve tona dhjetëra, mijëra prindër dhe të afërm. Shumë më shumë sesa vendet fqinje. Ka goditur dhe ka futur në borxh qindra, mijëra familje shqiptare. Sepse ky vend nuk ka qeveri. Sepse ky vend nuk qeveriset. Ky vend nuk ka qeveri sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve. Nuk qeveriset sepse anembanë vendit, nuk ka shtet. Nuk është një shtet i korruptuar dhe i kapur, por është një shtet i kapur nga të korruptuarit. Një shtet që siç e pamë javët e fundit është rrënuar deri ën tullën e fundit. Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve. Por tregon po kështu pabarazitë e thella që janë krijuar midis njerëzve të punës dhe atyre që përmes marrëdhënies së tyre me pushtetin, vetëm vjedhin, marrin, pinë nga djersa, sakrifica e nënave dhe baballarëve shqiptarë.’’

Kreu i PD u shpreh se Edi Rama nuk ka më çfarë të ofrojë. Nuk ka asnjë vizion, asnjë alternativë, asnjë zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët

‘’ Në fakt, ky regjim është në koma. Ndonëse ka 4 muaj që është betuar se do të qeveris Shqipërinë, ka katër muaj që jo vetëm nuk bën asgjë, por po rrënon edhe ato pak tulla që i kanë mbetur ngrehinës së shtetit. Dhe kjo për një arsye të thjesht, Edi Rama nuk ka më çfarë të ofrojë. I shteruar në fushatë para shqiptarëve, pa bilanc, sepse bilanci i tij i vërtet ishte pandemia, ku pasi i mbylli dy muaj shqiptarët në shtëpitë e tyre duke i frikësuar deri me autoblinda e me gjoba, iu dha paketën më të ulët ekonomike. Bilanci i tij i vërtet janë tenderët sekret të cilat vodhi edhe në kohë pandemie. Bilanci i tij i vërtet janë mbi 16 mijë nëna dhe baballarë, bijë dhe bija që na mungojnë në familjet tona, vdekje të shtuara nga COVID-i për shkak të keqmenaxhimit. Bilanci i tij i vërtet janë ato mijëra familje që edhe në këto ditë të ftohta dimri, dy vite pas tërmetit vazhdojnë të qëndrojnë në çadra, pavarësisht se ai del si aktor dhe shpërndan çelësat e ndërtesave të ndërtuara po kështu me tendera korruptive e të dhëna një grushti oligarkësh. Pra, pa bilanc doli në fushatë, pa plan, pa vizion për Shqipërinë. Është një kryeministër i mbaruar, është një qeveri në koma. Nuk ka asnjë vizion, asnjë alternativë, asnjë zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka skrupull, nuk ka erz, nuk ka nder. Kapet si hajduti me presh në duar në aferën e inceneratorëve.’’’

 

Artikulli paraprakPritet me entuziazëm kreu i PD në Dibër. Basha: Shqyrtojmë rrugët e daljes nga kjo gjendje, të vendosim kursin për të ecur përpara dhe ta nxjerrim Shqipërinë nga humnera ku e ka katandisur regjimi i Edi Ramës.
Artikulli tjetërBasha: Shumica dërrmuese e shqiptarëve është zhytur në varfëri, Edi Rama paguan 300 mijë euro për 25 këshilltarë, me taksat që iu merr qytetarëve