Sipas ligjit dhe Kushtetutës, duhet të shprehet presidenti i vendit Ilir Meta. Por Edi Rama dhe ministria e tij e Arsimit nuk kanë duruar dhe kanë gjetur emrin, për të zëvendësuar rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Pas pezullimit të këtij të fundit pa ditë më parë, sot Shahini, ka komanduar Bernard Dostin në këtë detyrë.
Dosti, aktualisht zëvendës rektor në Universitetin e Tiranës, do të mbajë këtë pozicion deri në përfundim të çështjes dhe dhënies së vendimit të formës së prerë.
“Caktohet Z. Bernard Dosti, me detyrë Zëvendësrektor në Universitetin e Tiranës, që të zëvendësojë rektorin e pezulluar deri në përfundimin e çështjes me vendim të formës së prerë”, shkruhet në urdhrin e ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Reagimi i PD
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar ashpër pas urdhrit të Ministres së Arsimit, Besa Shahini, për pezullimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Në reagimin e saj Vokshi shkruan se atë që Rama nuk arriti ta bënte me Shullazin para 3 vjetësh po e bën sot me Besa Shahinin.
Postimi i plotë i Vokshit
PEZULLIMI I REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS CËNON RËNDË AUTONOMINË UNIVERSITARE
Atë që Rama nuk arriti të bënte para 3 vjetësh me Shullazin, ka vendosur ta bëjë tani nëpërmjet Ministres së Arsimit Besa Shahini.
Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim e Rektorit të Universitetit të Tiranës është antikushtetuese! Ajo bie ndesh me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 3 të ligjit për Arsimin e Lartë, që garantojnë #Autonominë #Universitare.
Edi Rama nuk shqetësohet aspak për ligjet që shkel vetë çdo ditë ai dhe ministrat e tij për të vjedhur qytetarët dhe për të dhunuar të drejtat e tyre.
Edi Rama është hipokrit. Shqetësimi i tij i vërtetë nuk është shkelja e ligjit, sepse ai e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë funksionale. Edi Rama kërkon të uzurpojë çdo pushtet, si çdo i ngjashëm i tij autoritarist, i korruptuar dhe arrogant.
Edi Ramës nuk i intereson aspak mirëfunksionimi i universitetit më të madh në vend, sepse nuk e ka pasur asnjë moment arsimin prioritet.
Qëllimi i vetëm është largimi me të gjitha mjetet dhe format i çdokujt që atij i bëhet pengesë dhe më tej, interesi i tij është të marrë kontrollin edhe të Universitetit më të madh në vend, duke vënë në krye militantë politikë.
Urdhri i Ministres Shahini për pezullim të rektorit Mynyr Koni minon #autonominë #universitare dhe dëmton rëndë këtë institucion kaq të rëndësishëm për jetën akademike në vend.
Autonomia universitare duhet mbrojtur me çdo kusht për të mos e lënë edhe Arsimin e Lartë, edhe jetën akademike në duart e një Kryeministri që kontrollon gjithçka tjetër: Gjykatat, prokurorinë, mediat dhe të ashtuquajturën shoqeri civile.
Thirrja ime është për studentët dhe pedagogët që të bëj ë rezistencë kundër të keqes me emrin Edi Rama, qe e ka burimin tek blerja e votës dhe mosdhënia e llogarisë.