Në dosjen hetimore për zyrtarët e AKBN që u arrestuan disa ditë më parë, thuhet se kompania amerikane “Black Swan Energy Services”, i dërgoi email ministrit Damian Gjiknuri dhe disa krerëve te institucioneve përgjegjëse, duke bërë të ditur se bosët e “Feniks” kishin falsifikuar tetë fatura me vlerë 1.3 milionë dollarë, për shërbime që nuk i kishin marrë prej tyre.
Drejtorja ekzekutive e kompanisë amerikane, Eva Peza, ka konfirmuar se është në dijeni të situatës me shoqërinë “Feniks Petroleum” sh.a., faturat e së cilës arrijnë shumën 1.290.000 USD. Kjo shtetase ka konfirmuar se faturat janë të falsifikuara, pasi “Blac Swan Energy Services” (BSES) nuk ka punuar asnjëherë për këtë shoqëri shkruan Panorama.
Zonja Peza sqaron se përfaqësuesit e “Feniks” kërkuan prej tyre për të bërë tetë vlerësime rezervuarësh dhe plane biznesi, por duke qenë se ata i zvarrisnin gjërat, kompania që ajo përfaqëson nuk iu dha shërbime. Madje, drejtorja ekzekutive ngre dyshime se ata i kopjuan firmën dhe ia përdorën për faturat e falsifikuara.
Për këtë të fundit, Peza ka informuar përmes një emaili të datës 17 maj 2016 ministrin Gjiknuri, por nuk del qartë nëse ky i fundit ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me skandalin.
Nga hetimet e Prokurorisë, të nisura pas kallëzimit të bërë nga drejtori i Albpetrol, rezulton se shoqëria “Fenix” nuk ka të regjistruar në kontabilitetin e saj asnjërën nga 8 faturat e listuara dhe as ndonjë faturë tjetër të lëshuar nga shoqëria “Black Swan Energy Services”, si dhe nuk ka kryer asnjë transaksion bankar me këtë shoqëri.
“Nga ky fakt rezulton se përfaqësuesit e shoqërisë kanë pasur dijeni se ato janë të falsifikuara dhe i kanë përdorur vetëm në marrëdhënie me Albpetrolin dhe AKBN me synimin e qartë për të evituar ekzekutimin e Garancive Bankare të depozituara pranë AKBN”, theksohet në dosje.
Kërkesa e Prokurorisë drejtuar Gjykatës për masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të AKBN
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 03.05.2017, ka regjistruar procedimin penal Nr.3383 për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Fshehjes së të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 180 të Kodit Penal. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga shtetasi Endri Puka.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr. 1340 për veprat penale të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehjes së të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 172 dhe 180 të Kodit Penal. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e materialeve të dërguara në këtë Prokurori nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr.930 të vitit 2018 për veprën penale të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Të tria këta procedime janë bashkuar në një procedim të vetëm Nr.1340 – 2017 për veprat penale të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Fshehjes së të ardhurave” të parashikuara nga nenet 172, 186 dhe 180 të Kodit Penal. Shtetasi Endri Puka, administrator i shoqërisë “Albpetrol” sh.a., ka paraqitur një kallëzim penal ndaj shoqërisë “Feniks Petroleum” sh.a. dhe shtetasve Naim Kasa (administrator i kësaj shoqërie) e Isuf Berberi (aksioner i shoqërisë në fjalë).
Ky shtetas ka sqaruar në kallëzim se, nga raporti i auditimit të deklaratave të llogarisë “Kosto” të realizuara në zbatim të Marrëveshjeve Hidrokarbure të lidhura me shoqërinë “Feniks Petroleum” sh.a., kanë lindur dyshime në lidhje me disa deklarata (fatura) për shërbime që ajo i ka pasqyruar si të përfituara. Në këtë mënyrë dyshohet se kjo shoqëri ka rënduar llogarinë “Kosto”, duke dëmtuar interesat e kompanisë “Albpetrol” sh.a. si dhe interesat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) në një shumë prej 1,299,000.00 USD. Në këto fatura pasqyrohen shërbime të kryera për interes të shoqërisë “Feniks Petroleum” sh.a. nga shoqëria “Black Sëan Energy Services” (BSES).
Nga komunikimi që shtetasi Endri Peza ka pasur me shtetasen Eva Peza (CEO e shoqërisë BSES), kjo shtetase, me një email të datës 10.05.2016, ka konfirmuar se faturat e mësipërme nuk janë lëshuar prej kompanisë së saj.
Konkretisht bëhet fjalë për faturat: 1. Nr. AL/15#01, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 166,000 USD. 2. Nr. AL/15#02, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 225,000 USD. 3. Nr. AL/15#03, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 296,000 USD. 4. Nr. AL/15#04, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 214,000 USD. 5. Nr. AL/15#05, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 148,000 USD. 6. Nr. AL/15#06, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 150,000 USD. 7. Nr. AL/15#07, datë 10.08.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 50,000 USD. 8. Nr. AL/ 15#08, datë 10.08.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik për 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 50,000 USD.
Përfaqësuesit e shoqërisë “Feniks Petroleum” sh.a. kanë pretenduar se këto fatura nuk janë të falsifikuar,a duke pretenduar se do provojnë të kundërtën, por deri në momentin e kallëzimit penal nuk kanë sjellë ndonjë fakt apo provë për këtë qëllim. Me qëllim konfirmimin e origjinalitetit apo falsitetit të faturave të mësipërme u është dërguar autoriteteve gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një kërkesë për ndihmë juridike. Në përgjigje të kësaj kërkese, këto autoritete kanë informuar si më poshtë: “……
Shtetasja Eva Peza ka konfirmuar se është në dijeni të situatës me shoqërinë ‘Feniks Petroleum’ sh.a., faturat e së cilës arrijnë shumën 1.290.000 UD. Kjo shtetase ka konfirmuar se faturat janë të falsifikuara pasi ‘Blac Sëan Energy Services’ (BSES) nuk ka punuar asnjëherë për shoqërinë ‘Feniks Petroleum’ sh.a. Në një çështje të pavarur nga çështja në fjalë, para se të krijohen faturat e falsifikuara, BSES kontaktoi me një person të quajtur Naim Kasa, i cili ishte i lidhur me shoqërinë ‘Feniks Petroleum’ sh.a. për të bërë tetë vlerësime rezervuarësh dhe plane biznesi.
Asnjë punë nuk u krye në lidhje me këtë çështje pasi ‘Feniks Petroleum’ sh.a. gjithmonë i shtynte gjërat për një kohë të mëvonshme. Në këtë kontratë kishte firmosur Eva Peza, e cila spekulon se ishte pikërisht nga kjo kontratë që Kasa kopjoi firmën e saj dhe e përdori atë për faturat e falsifikuara…”.
Nga sa më sipër rezulton se faturat e mësipërme janë të falsifikuara (ky fakt rezulton nga deklarimet e shtetases Eva Peza dhe nga prova të tjera që do shtjellohen hollësisht).
Të akuzuar
- Denis Durrësi, drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
- Qani Hoxhaj, inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
- Simon Marku, inspektor te Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë.
- Arben Doda, inspektor te Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë.
- Naim Kasa, biznesmen.
- Rezarta Sulejmani, inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
- Isuf Berberi, biznesmen hidrokarburesh, i shpallur në kërkim.
- Klodian Gradeci, drejtori i Hidrokarbureve, i shpallur në kërkim.