Basha theksoi sot se Rama dhe prokuroria kanë bërë çmos për të prishur provat lidhur me audiopërgjimin ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u vetëdorëzua në Itali.
Ai tha se audiopërgjimi ndaj Agron Xhafajt është i pamanipuluar dhe paraqiti provat se si qeveria po e manipulon çështjen.
“Fakti i parë. Prokuroria ka çuar për ekspertim në Angli një kopje të videos të marra nga mediat dhe jo origjinalin bruto. Kjo është bërë me qëllim në mënyrë që zëri të ketë cilësi sa më ulët dhe të bëhet thuajse e pamundur ekspertiza. Fakti i dytë: Kampionet e zërit të Agron Xhafajt janë marrë në shkelje të çdo proçedure, janë të dobëta dhe kjo është bërë me qëllim që të mos identifikohet.
Së treti, ekspertiza angleze nuk përjashton mundësinë që zëri në video dhe ai në laborator, të çuara me kast, me cilësi të dobët, mund të jetë i Agron Xhafajt.
Në hetimin e Prokurorisë mungon pyetja e Agron Xhafaj. Ai nuk është marrë në pyetje. Pra është bërë hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pa e marrë në pyetje Agron Xhafajn”, tha Basha.