Skandali me drejtësinë e re, Komisioneria e Vettingut me burrin tek organizata terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”

Arten Ramosaço, bashkëshorti i Komisioneres së Vetingut, Valbona Sanxhaktari, rezulton në listën me 30 persona, të arrestuar si pjesë e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, e drejtuar nga Orik e Leart Shyti dhe Altin Arapi.
Grupi u arrestua në vitin 1996, si persona të dyshuar për kryerjen e një serie aktesh kriminale, përfshirë edhe sulmin terrorist mbi ish-supermarketin “VEFA”. Grupi “Hakmarrja për Drejtësi” kaloi në një kalvar të gjatë gjyqësor, i cili zgjati për rreth 15 vjet dhe shumë prej akuzave ndaj tyre nuk arritën të provoheshin.
Gjithësesi, disa prej anëtarëve të saj janë akuzuar edhe për vepra kriminale, të kryera në periudhën 2002-2005, ku më e rënda ishte vrasja e shoferit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.
Nga hetimet, sipas raportimeve të asaj kohe, Arten Ramosaço dyshohet se ka pasur një rol ndihmësi për drejtuesit e organizatës në kryerjen e krimeve.
Arten Ramosaço është martuar me Valbona Sanxhaktarin dhe lidhja e tyre është kurorëzuar me lindjen e një vajze në vitin 2004. Pas martese, Arteni rezulton se ka ndryshuar mbiemrin nga Ramosaço në atë të bashkëshortes, pra Sanxhaktari. “Boldneës.al” ka

kryer verifikimet në regjistrin themeltar të Gjendjes Civile, në të cilin gjendet i pasqyruar ky ndryshim.
Nuk është e qartë se përse ai ka zgjedhur këtë formë. Sipas kërkimeve, rezulton që në trungun familjar Ramosaço vetëm Arteni ka ndryshuar mbiemrin, ndërsa të tjerët vijojnë të kenë atë që kanë trashëguar nga pasardhësit e tyre.
Arteni ka mbajtur mbiemrin Sanxhaktari deri sa është divorvuar nga bashkëshortja e tij. Më tej, siç rezulton nga dokumentat zyrtare, ai është kthyer tek mbiemri para martese, Ramosaço.
Fakti që Arten Ramosaço i “Hakmarrjes..” është i njëjti person me Arten Sanxhaktari, babain e vajzës së komisioneres së Vetingut, u publikua pasditen e së Enjtes nga ish-kryeministri Sali Berisha, në rrjetin social Facebook.
Zbulimi i këtij detaji të rëndë vë në pikëpyetje të madhe filtrimin e emrave të përzgjedhur nga maxhoranca socialiste për të qenë pjesë e trupave që po realizojnë procesin e Vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët.
Deri më tani, disa gjyqtarë janë shkarkuar nga detyra, pasi KPK “zbuloi” se ata shoqëroheshin me nipa apo familjarë të tyre, të akuzuar për ndonjë cigare hashash apo vepra të tjera të lehta penale.
Ky standart duket se nuk respektohet për anëtarët e Komisionit të Vetingut, të cilët, si në rastin konkret, kanë persona shumë të afërt, të dyshuar si të përfshirë në organizata kriminale, me prirje terroriste.

Artikulli paraprakAbuzimi skandaloz në Banka, qytetarët iu paguajnë 124 milion euro në vit vetëm për komisione
Artikulli tjetërTrump paralajmëron: Mueller dhe grupi i tij i banditëve demokratë të zemëruar duan të ndikojnë tek zgjedhjet