Pak para hapjes së lokaleve zgjedhore në Kanada, ekipi i fushatës së kryeministrit Justin Trudeau publikoi një video të fundit: në të 47-vjeçari shihet duke u ngjitur në një mal në Vancouver me një fanelë të ngushtë.
Një Trudeau dinamik, mbrojtës i klimës. Edhe sfiduesi konservator Andreë Scheer publikoi një video. Edhe 40-vjeçari shihet në një pyll. Mendimi unanim për këtë: sa e mërzitshme.
Por kaq të qarta nuk janë raportet e shumicës. Sondazhet e fundit i shohin zgjedhjet parlamentare si një garë gjoks më gjoks midis liberalëve dhe konservatorëve. Asnjëra nga palët nuk pritet të marrë shumicën absolute të 170 vendeve në parlamentin e Otavas.
Sidoqoftë, kandidatët e drejtpërdrejtë në shumë zona zgjedhore janë kaq pranë njëri-tjetrit, sa që parashikimet janë të vështira.
Vuri nën presion ministren e Drejtësisë
Trudeau, i cili katër vitet e shkuara ka qeverisur me Liberalët e tij me shumicë absolute, e humbi pjesën më të madhe të mbështetjes muajt e fundit.
Në pranverë u bë publike se ai i kishte bërë presion Ministres së tij të atëhershme të Drejtësisë për të ndaluar hetimet për rryshfet në Libi kundër kompanisë kanadeze SNC-Lavalin. Vetëm kur një komitet etike shqiptoi një qortim për të, Trudeau kërkoi falje.
Në shtator u shfaq një fotografi e bërë para 20-vjetësh, ku Trudeau shihet më fytyrë me bojë të errët – i maskuar si Aladdini – në një festë.
Ai kërkoi falje për sjelljen e tij “raciste” dhe tha gjithmonë kishte qenë “më entuziast për kostumet, sesa është ndonjëherë e përshtatshme”.
Pakicat, personat me të ardhura të ulëta, NAFTA
Por, në tërësi indinjata në popull mbeti më e ulët nga sa kishin shpresuar kundërshtarët e Trudeau-së. Mbështetësit e Liberalëve theksuan se Trudeau i kishte përfshirë në mënyrë aktive pakicat, se kishte mbështetje më të mirë për familjet me të ardhura të pakta, dhe se marrëveshja e NAFTA-s, përkohësisht e pezulluar me SHBA dhe Meksikë, tashmë është në rrugë të mbarë.
Por kundërshtarët e Trudeau-së ankohen se ai nuk i ka mbajtur disa nga premtimet e tij, si reforma zgjedhore ose buxheti i balancuar deri në vitin 2019. Të tjerë mendojnë se politika e tij për klimën nuk shkon sa duhet larg, megjithë futjen e një takse për CO2.
Trudeau e humbi pjesën më të madhe të mbështetjes te votuesit e majtë. Sidoqoftë, shumë prej 37 milion kanadezëve, prej të cilëve shumë priren të zgjedhin pikëpamje liberale dhe të majta, e kanë të vështirë t’i pranojnë pikëpamjet konservatore të Sheerit mbi abortin ose martesën homoseksuale.
Partitë e vogla janë vendimtare
Në rast se do të ketë një qeveri minoriteti – jo e pazakontë në Kanada – partitë e vogla do të jenë ato që do të vendosnin se nga do të anojë kandari. Midis tyre, janë socialdemokratët e Jagmeet Singh, që kohët e fundit kanë shënuar rritje.
Këta, si dhe të Gjelbrit, janë politikisht më afër Liberalëve. Edhe qëndrimi i Partisë rajonale Blloku Québécois mund të jetë vendimtar në fund.
Në fund të fushatës zgjedhore erdhi mbështetje nga SHBA fqinje. Përmes Tëitter-it ish-Presidenti Barack Obama u bëri thirrje votuesve kanadezë t’i japin kryeministrit Trudeau një mandat të dytë.
aud/sti (afp, dpa, ap)