Skandali me të besuarin e Ramës në pastrimin e parave

Edi Rama dhe ministri i tij, Arben Ahmetaj kërkojnë të emërojë në shkelje flagrante të ligjit një drejtues të lartë shtetëror. Bëhet fjalë për drejtorin e Përgjithshëm të Parandalimit të Pastrimit të Parave që varet nga Ministria e Financave. Dihet tashmë, nga burime brenda PS-së se në këtë post, Rama dëshiron të emërojë  Alket Hysenin. Ai nuk është një emër krejt i panjohur. Është njeri i besuar i Edi Ramës. Është aktualisht Kryetar i Komisionit të Garancive në Partinë Socialiste, interpretuesi i Statutit të Partisë Socialiste. Pra, personi që bëri statusin dhe përjashtoi Ben Blushin nga gara për kryetar i PS-së.
Kjo kandidaturë qartësisht politike nuk plotëson kriteret për t’u bërë drejtor i Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kështu, Ministria e Financave ka shpallur hapjen e procedurave të përzgjedhjes së kandidaturave për drejtorin e Përgjithshëm të Parandalimit të Pastrimit të Parave, duke përcaktuar kriteret dhe dokumentacionin që duhet të paraqitet brenda datës 22 qershor 2016 në Zyrën e protokollit të Ministrisë së Financave.
Opinion.al ka mësuar se kjo procedure vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me Ligjin “Për nëpunësin civil” që është i zbatueshëm për çdo funksion publik në institucione të administratës shtetërore. Sipas këtij ligji, drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave është Nivel i Lartë Drejtues dhe plotësimi i këtij vendi (mbetur vakant, pasi Genti Gazheli u bë ai ambasador i Shqipërisë në Turqi), duhet të plotësohet me funksionarë që kanë statusin e “Trupës së Lartë të Nivelit Drejtues” (TND). (shiko faksimilen e ligjin më poshtë).
Opinion.al ka kontaktuar me juristë, të cilët sqaruan se, procedurat e pranimit në TND organizohen nga Departamenti Administratës Publike dhe plotësimi i një vendi të lirë të kategorisë së lartë drejtuese në një institucion të administratës shtetërore mund të bëhet vetëm me një anëtar të TND-së. Çdo emërim i kategorisë së lartë drejtuese, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në këtë ligj, është absolutisht i pavlefshëm. Pra, konkursi i hapur nga Ministria e Financave është krejtësisht i paligjshëm. Drejtori i DPPP duhet të zgjidhet me konkurs nga DAP dhe duhet të jetë patjetër me status TND.
“Çdo procedurë tjetër jashtë procedurave të Ligjit 153/2012 “Për Nëpunësin Civil” është absolutisht e pavlefshme, pasi ky ligj përcakton se Ligji nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen”, thonë juristët.
Kështu për të emëruar me çdo kusht dhe për të shpërblyer Alket Hysenin, Ministria e Financave shkel në mënyrë flagrante Ligjin “Për Nëpunësin Civil”.
Më poshtë keni edhe njoftimin zyrtar të Financave për shpalljen e vendit vakant në DPPP. Kandidatët, sipas njoftimit, duhet të plotësojnë këto kritere të përgjithshme: Të jenë shtetas shqiptarë; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës për kryerjen e një krimi; të mos jetë marrë ndaj tyre masa disiplinore të largimit nga shërbimi civil për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore; të jenë në kushte shëndetësore të mira për të kryer detyrat përkatëse. Arsimimi: Master Shkencor në Shkenca Juridike dhe/ose Ekonomike. Kërkohet edhe që kandidatët duhet të ketë mbaruar njërin nga fakultetet me notë mesatare mbi 9, etj.

Exit mobile version