Skandali me tenderin, Veliaj përfituesi i 640 milionëve

Një aferë tjetër korruptive e Erjon Veliajt është zbuluar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vendosur t’i kthejë parkimet në biznesin e tij privat, duke u fshehur pas emrit të një të afërmi të bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë në Bashki, drejtorit të shërbimeve publike.
Kryetari i këshilltarëve të PD në Bashki, Leonard Olli, denoncoi dje këtë hajdutëri të re të Erjon Veliajt, këtë abuzim dhe futje dore në xhepat e qytetarëve.
“Për fat të keq saga e korrupsionit sa vjen dhe thellohet në Bashkinë e Tiranës. Tashmë dhe ai akt i turpshëm që u shit me bujë si rregullim dhe menaxhim i trafikut, parkingjet me pagesë të qytetarëve të Tiranës, është veçse një aferë tjetër e madhe korruptive e kryebashkiakut Veliaj. Por tashmë i trembur nga zullumet, grabitjen në tenderin e pajisjeve të parkingjeve të Tiranës e ka kryer nëpërmjet motrës së një drejtori të përgjithshëm, bashkëpunëtorit të tij të ngushtë. Askush nuk e beson se hartuesi i këtij projekti për grabitjen e më shumë se 640 milionë lekëve, është një drejtor në Bashki. Eshtë vetë zoti Veliaj. Askush nuk e beson se është e afërmja, motra e këtij drejtori, përkundrazi është vetë Veliaj, sepse kjo është pasojë e keqmenaxhimit të trafikut në Tiranë, kjo është arsyeja e drejtpërdejtë e keqmenaxhimit të transportit publik urban në mënyrë që njerëzit jo vetëm të përdorin automjetet, në të kundërtën e asaj që thuhet, por dhe të kenë mundësi të parkojnë, të paguajnë për biznesin e Veliajt. Do të thoja një e ardhur absolutisht, pa asnjë lloj investimi. Tirana duhet të kishte parkingje pa pagesë dhe falas për banorët e vet. Tirana duhet të ofronte mundësi pa fund në një qytet, i cili nuk ka krijuar asnjë infrastrukturë për qarkullimin, por aferat e Veliaj nuk mund ta lejojnë  këtë gjë. Dhe për këtë arsye, sot jemi përpara kësaj sage të re korruptive, e cila tenton të mbahet sekret. Për fat të mirë, kjo nuk është vetëm dhe thjesht një deklaratë e përfaqësuesve të opozitës. Ky është një investigim i medias ku gjej rastin ta inkurajoj dhe ta përgëzoj për këtë punë dhe për çdo punë tjetër që ka të bëjë me mirëmenaxhimin dhe ruajtjen e parasë publike të qytetarëve. Kjo është e vërteta e hidhur e administrimit të Tiranës që prej kohës që zoti Veliaj ka marrë drejtimin. E kemi thënë dhe po e përsërisim, Veliaj është i fundit në transparencë, por padyshim i pari, kampion në skandalin e abuzimit dhe vjedhjes së fondeve publike”, u shpreh Olli.

Exit mobile version