Stefania Nobile, vajza e Wanna Marchi, e njohur si “mbretëresha e telemarketingut” dhe Davide Lacerenza, ish-partneri i saj dhe pronari i Gintoneria, një lokal për VIP-at në Milano, janë vënë në pranga pasi dyshohen se lokalin e kishin kthyer në “fole” prostitucioni.
Sipas hetimeve nga autoritetet italiane, çmimi i shampanjës paguhej për Lacerenza, ndërsa shërbimi seksual drejtpërdrejt për vajzat. Lacerenza dërgonte gjithashtu kokainë, të cilën e konsumonte klienti, eskortat dhe vetë Lacerenza kur qëndronte.
Pra kokainën e jepte vetë ai tek klientët, ndërsa llogaritë i menaxhonte ish-partnerja e tij Stefania Nobile.
Por duket se hetimet janë ndalur tashmë edhe në një tjetër pikë, atë të pastrimit të parave për të cilën dyshohet se përgjegjës është Davide Lacerenza, para të cilat dyshohet se i ka sjellë edhe në Shqipëri.
Sipas mediave italiane, në një histori në Instagram të publikuar në prill të vitit të kaluar, themeluesi i Gintoneria “në njoftimin e udhëtimit të Nobile dhe Marchi në Shqipëri” me një Lamborghini Urus “aludon për “80 milionë euro para në bankë”.
Në “videon e regjistruar në mbrëmjen e 5 majit” Lacerenza “i referohet parave të sjella në Shqipëri nga Marchi”.
“Përjashtoj totalisht që Stefania Nobile të ketë lehtësuar apo shfrytëzuar prostitucion, edhe sepse sipas të njëjtës akuzë, ajo nuk ka dhënë asnjë kontribut të drejtpërdrejtë dhe as ka marrë fitime direkte”, sqaroi avokati i saj, Liborio Cataliotti, i cili njoftoi se do të ankimonte arrestin e shtëpisë për të.