Zbardhen të tjera detaje nga skandali i rëndë seksual që është zbuluar në Rezidencën e Fëmijëve në Shkodër, ku 3 vajza të mitura u abuzuan seksualisht. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se në trupin e një prej vajzave janë konstatuar shenja djegie të bëra me cigare. Po sipas këtyre burimeve, vajza ka hematoma në disa vende në trup. Skandali thellohet akoma më tej, pasi ka dyshimet se abuzimi seksual ka ndodhur brenda Shtëpisë së Fëmijës.
Vajzat, 6, 8 dhe 11 vjeç kanë rrëfyer se janë abuzuar seksualisht brenda ambjenteve të institucionit nga fëmijë të tjerë më të rritur, të cilët sipas tyre i detyronin të shikonin edhe filma porno. Por veç kësaj në raportin e Prokurorisë theksohet se, fëmijët kanë treguar edhe për dhunë që i kalonte kapacitetet njerëzore. Rrahje me shkopinj dhe këmbë karrige nga fëmijë të tjerë edhe nga punonjës të jetimores. Vajzat e mitura kanë treguar se edukatoret largoheshin me orë të tëra nga institucioni.
Madje sipas tyre, ato dinin gjithçka për abuzimet seksuale, por ju thonin të mbyllnin gojën. Një prej të miturave u ka treguar oficerëve se në 2014, dy prej vajzave në Shtëpinë e Fëmijës janë larguar, duke qëndruar jashtë gjatë gjithë natës. Dhunë kjo e pohuar edhe nga një nënë rome. Ndërkohë, drejtori i këtij institucioni thotë se duhet pritur përfundimi i hetimeve. Ka qenë pikërisht institucioni i Avokatit të Popullit, ai që i ka referuar rastin Prokurorisë, e cila më pas nisi hetimet për këtë skandal të rëndë abuzimi, ngjarje e cila ka tronditur mbarë opinionin publik.
Ish-drejtoresha e Jetimores Albana Llazani kishte përgatitur mbrojtjen e saj pas hetimeve të nisura nga Prokuroria, duke i detyruar fëmijët që të mohojnë dhunën. Pas skandalit në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, ku janë rezidentë 34 fëmijë të moshës 6-18 vjeç, “Ora News” ka mundur të sigurojë dy video të xhiruar nga ish-drejtorja e Qendrës, Albana Llazani.
Burime konfidenciale të “Ora News” thanë se videot janë bërë nga Llazani dy javët e fundit, pra pas inspektimit të Avokatit të Popullit, i cili ishte në qendër në 16 prill 2016.
Në njërën video shfaqet ish-drejtorja, aktualisht në postin e psikologes, që i kërkon informacion prindërve të një fëmije 6 vjeç për shenjat e djegies që ka në trup, pasi vajza është marrë në pyetje në Prokurori.
Arrest me burg” për ish-drejtoreshën dhe 4 punonjëset e Qendrës së Fëmijëve
Mbeten në qeli 5 punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës ku janë abuzuar seksualisht tre fëmijë të mitur. Në seancën për caktimin e masës së sigurisë të zhvilluar me dyer të mbyllura, 5 punonjëset e arrestuara si përgjegjëse për këtë skandal kanë mohuar akuzat.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka lënë në burg 5 punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës, mes tyre edhe ish-drejtoreshën Albana Llazani.
Në seancën gjyqësore që zgjati rreth 3 orë, e zhvilluar me dyer të mbyllura pa praninë e mediave dhe familjarëve, gjykatësi Hasan Selimi miratoi kërkesën e Prokurores së çështjes Arta Marku, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tyre.
Pesë të pandehurat kanë deklaruar se akuzat ndaj tyre janë të pabaza, ndërsa avokatët mbrojtës kanë theksuar se dëshmitë që paraqiten si provë janë kontradiktore, përfshirë dhe ato për dhunë seksuale të ushtruar nga djali i ish-drejtoreshës, pasi 15-vjeçari vuan nga autizmi dhe prapambetja e thellë mendore.
3 fëmijët që rezultojnë të jenë abuzuar seksualisht në këtë qendër janë vajza të moshave 6, 8 dhe 12 vjeç, ndërsa nuk kanë munguar rastet e vazhdueshme të dhunës fizike e psikologjike. Avokatit të Popullit, institucionit që sinjalizoi këtë skandal, iu deshën 2 muaj hetime për të zbuluar përmasat e frikshme dhe tronditëse të tij. Një skandal që ka ndodhur në institucionin ku presupozohej se duhej të ishin më të sigurtë dhe të mbrojtur se askund tjetër.