Personi në foto është Resul Llogo, të cilin edhe të vdekur kryeministri Rama nuk po e lë të qetë. Si për ironi të fatit, Resuli ishte një socialist i thekur deri në ditën e fundit të jetës së tij, madje ai humbi jetën aksidentalisht teksa kthehej nga një funeral. Por dje ai u shfaq në listën e Ramës, i akuzuar për përfshirje në korrupsion.
“Lista e zezë” e publikuar një ditë më parë nga ana e Edi Ramës, ka shkaktuar shumë polemika. Jo vetëm për faktin që Rama ka nxjerrë punonjës administrate të dyshuar për korrupsion pa u verifikuar, por edhe për çudirat. Një prej këtyre çudirave, është emri i 36 në listën e Ramës, që thuhet se është drejtor në Këlcyrë. Ai quhet Resul Llogo. Por, ky person nuk ekziston fare në Këlcyrë, madje sipas të dhënave, mediave, nuk ekziston as në gjendjen civile. Nga verifikimet e mëtejshme, bëhet fjalë për një emër të ngjashëm nga Gjirokastra, por që nuk jeton më. Ai ka qenë kryetar i Këshillit të Qarkut dikur, por tashmë ka vdekur. Me sa duket, stafi i Ramës nuk i ka bërë si duhet verifikimet e emrave të kësaj liste.