Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament votën kundër të Shqipërisë në NATO ndaj dokumentit të Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen nukleare. Vota e qeverisë së Ramës përbën një skandal dhe që vendos në pozita të vështira Shqipërinë në raport direkt me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n. Votimi është bërë më 20 tetor dhe deri dje ishte mbajtur i fshehtë nga qeveria. Po përse Rama ka urdhëruar votën kundër dokumentit të NATO-s dhe interesit amerikan? Ish-Kryeministri Berisha tha dje në Parlament se, një veprim i tillë ka ndodhur më 20 dhjetor dhe vetëm pak ditë pas fitores së Trump në garën presidenciale amerikane. “Pasi fitoi Donald Trump, në datën 20 dhjetor, Shqipëria voton kundër!!! Kundër strategjisë së NATO-s!!! Shqipëria voton kundër kërkesës së aleatit tonë kryesor sepse ‘ne duhet t’i prishim marrëdhëniet’ me aleatin tonë kryesor!”, tha Berisha në Parlament. Ish-Kryeministri deklaroi se një vendim i tillë i paprecedent i përfaqësuesve të qeverisë në NATO synon prishjen e marrëdhënieve me aleatin kryesor strategjik të vendit, SHBA.
“Ky dokument i Aleancës së Atlantikut të Veriut që nuk është i klasifikuar, që është shpërndarë nga përfaqësuesja e delegacionit të SHBA në NATO, midis të tjerash thotë se “Në samitin e Varshavës NATO riafirmon shkurajimin e bazuar në një përzierje të përshtatshme të kapaciteteve mbrojtëse nukleare dhe konvencionale raketore dhe kjo mbetet shtyllë kryesore, element kryesor i strategjisë së përgjithshme të NATO-s për sa kohë armët nukleare të ekzistojnë. NATO-ja do të mbetet aleancë nukleare. Për këtë arsye, ne e ndjejmë se përpjekjet për të negociuar në mënyrë imediate një ndalim të armëve nukleare apo për të delegjitimizuar shkurajimin nuklerar, janë themelisht në kundërshtim me NATO-n, themelisht në kundërshtim me politikat bazë të NATO, mbi diferencën dhe interesat që ne ndajmë për sigurinë”.
Mbi bazën e këtij dokumenti, që mban datën 20 tetor 2016 në komitetin e parë të OKB-së, Shqipëria voton direktivën e NATO-s, voton siç kërkon aleati i tij kryesor.
Çfarë ndodhi z. Majko?
Pasi fitoi Donald Trump, në datën 20 dhjetor, Shqipëria voton kundër!!! Kundër strategjisë së NATO-s!!! Shqipëria voton kundër kërkesës së aleatit tonë kryesor sepse “ne duhet t’i prishim marrëdhëniet” me aleatin tonë kryesor!
Nuk po them se ne kemi shkelur me të dyja këmbët zotimet tona të tjera ndaj NATO-s, siç është buxheti, por të votosh kundër asaj që kërkojnë SHBA-të, fuqia më kryesore nukleare e NATO-s, me atë që kërkon Franca dhe Britania e Madhe, fuqi të tjera nukleare të BE, a nuk është kjo një tradhëti e interesave të sigurisë kombëtare? A nuk është kjo një thikë në interesin e sigurisë kombëtare?! Kush i drejton këta? Nga kush frymëzohen këta?! Nga Teherani? Apo kthehen mbrapsht tek etërit e tyre?!”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se Rama është shndërruar në një kone të Sorosit dhe po vendos interesat personale mbi interesat madhore të vendit. Ai ka kujtuar se Rama është sot i vetmi Kryeministër në rajon që nuk ka përshëndetur fitoren e Presidentit Trump.
“A mund të ndodhë që Shefi i Ekzekutivit të Shqipërisë të mos t’i dërgojë urim, Shefit Ekzekutiv të SHBA-së?! Se presidenti është shef i ekzekutivit aty. Eshtë president, por dhe shef i ekzekutivit i SHBA. I çon Presidenti urim, detyrimisht i çon dhe Kryeministri. Por kur bëhesh një pronë e George Sorosit, kur shet mbi çdo interes…
A nuk është kjo një shkelje madhore e interesit kombëtar, e sigurisë kombëtare, një përpjekje flagrante për të dëmtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA?! Çdo shqiptar le t’i shtrojë pyetjen vetes, por dokumenti është i pakundërshtueshëm. Votoi në tetor siç kërkoi aleati ynë, votoi kundër në dhjetor për t’u dhënë një sinjal jashtëzakonisht negativ!
Unë edhe herë të tjera e kam thënë dhe e theksoj se, kjo shumicë qelbësirash shkoi para se të vinte në pushtet, në Stamboll! Dhe mori aty një libër të mikut tim Davutoglu, një akademik brilant, “Strategjia në thellësi” që ka si thelb, “zero probleme me fqinjët”.
Shikoj unë këtu në programin e qeverisë që e keni votuar këtu “zero probleme me fqinjët”!
Po zero problem mund të thonë SHBA, e tha dhe Turqia që ç’është e vërteta i doli për hundësh. Ja që na dolën dhe këta. Po ç’zero problem?! Po ti je i shpërndarë, për fatin tragjik të historisë tënde t’i jeton kudo! Ja ç’ndodhi në Kumanovë, ja ç’ndodh në Preshevë apo Veri të Kosovës. Si e paske t’i këtë zero problem me fqinjët, kur t’i ke detyrime ndërkombëtare ndaj tyre, me traktate ndërkombëtare ndaj tyre! E si janë sot problemet? Më keq se asnjëherë. Lëri ato që janë hapur dy zyra, po s’ke marrë një projekt. Mos përmendni projektet e mia. S’kam asnjë xhelozi, por linjat e interkonjeksionit qoftë me Kosovën e qoftë me Maqedoninë janë absolutisht të dokumentuara të iniciuara nga ne, e tenderuara, e prishur dhe tenderuar për së dyti. Po rrugët e tjera i kanë marrë të tjerët, si korridorin blu. A di t’më thuash se ç’është korridori blu? Një vizatim në det i një njëriu, i cili nuk njeh asnjë kufi për të gënjyer dhe mashtruar. Kur lexoj dhe për “korridorin e gjelbër”. A e dini se cili është korridori gjelbër? Shpiku gjëra, të cilat nuk ekzistojnë. Po ku janë tani? Asgjëkundi. Po merr hekurudhën Tiranë-Prishtinë, apo Milot-Prizren, po more atë një mijë herë faleminderit thuaju se bëhet një gjë shumë e madhe. Ju morët zyra. Nuk them se ka gjë të keqe, por çfarë japin?! Ne na duhen projekte. Por nëse themi të tjerët të marrin projektet kurse ne zyrat, atëherë ato janë pemë pa kokrra”, tha Berisha.
Arben SHAHINI