Skandali, Rama ka shitur tek universitetet private kuotat e universiteteve publike

Ministria e Arsimit është duke detyruar maturantët t’i drejtohen universiteteve private për të ndjekur studimet e larta. Janë vetë maturantët dhe prindërit që kanë ngritur shqetësimin në lidhje me favorizimin që Ministria e Arsimit po u bën qëllimisht universiteteve private, duke u dhënë atyre kuotat e universiteteve publike. Në këtë mënyrë, maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta janë të detyruar që t’u drejtohen universiteteve private duke shpenzuar miliona para për edukimin e tyre.

Një denoncim i tillë është publikuar edhe nga ish-Kryeministri Berisha, ku një prind shpreh shqetësimin mbi vendimin favorizues ndaj universiteteve private nga Ministria e Arsimit. Vetë ish-Kryeministri Berisha thekson se vendimi i Ministrisë së Arsimit vjen pas ryshfeteve të majme që kanë dhënë unviersitetet private. “Qytetari dixhital denoncon: Edvin Shullazin dhe konfidenten e tij, Linda Nikollën për favorizimin kundrejt ryshfeteve të mëdha universiteteve private duke ulur në kundërshtim me ligjin kuotat në universitetet publike dhe rritur tarifat e regjistrimit”, thekson Berisha.

Në denoncimin e publikuar nga Berisha, prindi i një maturanti tregon se si Ministria e Arsimit ka krijuar një situatë të paprecedent, ku me qëllim favorizimin e universiteteve private ka ndryshuar tërësisht kriteret dhe procedurat e llogaritjes së kuotave duke lënë konfuz nxjerrjen e fituesve e njëkohësisht duke i hapur rrugë orientimit të studentëve drejt regjistrimit me pagesë tek universitetet private, regjistrimi tek cilat varion nga 2 deri në 3 milionë euro të vjetra në vit.

“Mirëdita Doktor, jam një prind që duke u interesuar për djalin për t’u futur në universitet dhe në interesimin e sipër konstatoj se Rama dhe Linda kanë shitur tek universitetet private kuotat e universiteteve publike. Për këtë qëllim
MAS ka krijuar një situatë të paprecedent, duke ndërruar kritere dhe mënyrat e llogaritjes disa herë, duke krijuar një situatë ende të paqartë sesi do të llogariten fituesit.

Jo që nuk është më kriter meritë prefetencë, por MAS ka krijuar një skandal të vërtetë dhe duke ndërhyrë pranë senateve duke rritur tarifat dhe duke ulur kuotat. Për shembull, është e sigurtë se në Senatin e UMT (Universiteti i Mjekësisë) datë 29.07.16 ka bërë ndërhyrje të tilla. Nesër po përpiqem të bëj verifikimet në lidhje me këtë info dhe ju bëj me dijeni menjëherë. Me respekt D.H”, thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-Kryeministri.

 

Aplikimet  sipas ministrisë

Procesi i maturës shtetërore këtë vit ka pësuar disa ndryshime që kanë të bëjnë jo vetëm me procesin e përzgjedhjes së fituesve, por edhe me aplikimin në sistemin online. Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim do të përfshihen edhe universitetet private.

Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do t’i vendosin universitetet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50% dikush tjetër 30% etj. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhet që në datën 29 korrik nis procesi i hedhjes së notave mesatare në sistem. Nga data 29 e deri në ditën e aplikimit, sipas kalendarit për qark a qytet, për të gjithë maturantët do të hidhet nota mesatare në sistem.

Nëse vitin e kaluar, kishte shumë rëndësi përzgjedhja për 10 preferencat, por sidomos renditja e tyre, sivjet nuk do të ketë përzgjedhje sipas preferencave të para. Këtë vit, në rast se një maturant e gjen emrin mbi vijën e kuqe, në disa degë njëherësh, ai e merr vendimin vetë për njërën prej tyre. Pra, nuk ka rëndësi renditja e degëve. Ndërkohë, raundi i dytë rinis nga e para. Kur një maturant e sheh që nuk ka fituar në asnjë degë, bën renditjen e re për të fituar universitetin.

Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Exit mobile version