Një skandal më vete po ndodh në Institutin e ngritur për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Daut Gumeni anëtar i këtij institucioni ka denoncuar publikisht përmes një interviste në media ku ka bërë të ditur se në këtë institucion është dhënë urdhër që të mos hapet asnjë dosje e të mos verifikohet askush. Hapja e dosjeve do të zbardhte të vërtetat e hidhura se një pjesë e mirë e njerëzve me të cilët Rama sot qeveris e që ka futur në Parlament kanë qenë bashkëpunëtorë të devotshëm të regjimit komunist, ndërsa kanë torturuar dhe persekutuar me qindra familje shqiptare. Gumeni akuzon se nuk po bëhet asnjë punë dhe se institucioni është hapur për të mos hapur asnjë dosje. Ai tregon se si po pengohet puna për hapjen e dosjeve nga personat e persekutuar që kërkojnë të dijnë se kush kanë qenë persekutorët e tyre. “Në nëntor mbushim një vit. Nuk mund të themi që kemi bërë atë që duhet. Të dhënat janë marrë nga sekretari ynë. Janë rreth 196 kërkesa individësh që duan të marrin vesh se çfarë është bërë me ta. Janë 110 kërkesa që u janë mbaruar shqyrtimi. Janë në proces zbulimi i atyre që kanë dëmtuar personat dhe ne kemi vështirë pa pasur arkivin tonë. Puna pengohet të shkosh nga një arkiv në tjetrin të marrësh informacion. Të vesh te Arkivi i Ministrisë së Brendshme nuk është se na pengojnë punonjësit. Por vetë mënyra se si janë vendosur dokumentet që na takojnë si institucion të pengon t’i shqyrtosh kur do ti dhe brenda afatit. Me një fjalë, për ata që e dinë se ne jemi një institucion i mrekullive, ne jemi një institucion i zakonshëm që zbatojmë një ligj të caktuar të miratuar nga Kuvendi për t’i njohur për të shkuarën e tyre. Por që të bëhet kjo, ne duhet të kemi godinën e arkivit tonë”, thotë Gumeni. I pyetur se çfarë ka bërë institucioni ku është ai është anëtar, ai thotë: Këto pra që ju thashë. 196 kërkesa të bëra, 110 të shqyrtuara dhe 36 kërkesa janë shqyrtuar nëse kanë apo jo ligjshmëri. Janë 32 kërkesa për të cilat është mbyllur procedura mbi bazën e vendimeve. Dhe 625 persona që janë kontrolluar, por jo nga autoriteti, por nga institucionet e tjera, që u ka kërkuar autoriteti. Janë Shërbimi Informativ dhe Ministria e Brendshme. Ne kemi shërbyer si kamarier. Nuk kemi kontrolluar ne. Ju kemi kërkuar arkivave këtë gjë dhe ata e kanë bërë. Ne nuk kemi kryer asnjë veprim. Thjesht kemi përcjellë atë që na kanë dhënë. Kur nuk ke arkivin tënd, ne shkruajmë që ky institucion thotë kështu. Por në fakt duhet t’i kontrollojmë”. “Puna jonë në këtë 1 vit ka qenë me këta fakirët që duan të dinë se çfarë ka ndodhur, kush i ka spiunuar kushëriri, vëllai, motra. Por nuk ka asnjë verifikim të atyre që e kanë dëmtuar vendin dhe vazhdojnë të mbajnë funksione. Ata që kanë paraqitur kërkesa nuk e dëmtojnë. Nuk janë ata që janë kureshtarë pengesa e përparimit. Por janë ata, që e kanë mbajtur pushtetin dhe e kanë akoma pushtetin. Unë nuk jam pesimist se do gjendet ndonjë nga ata që e kanë dëmtuar këtë vend”, thotë Gumeni. Ai paralajmëron largimin e tij, ndërsa i zhgënjyer shprehet se me këtë ritëm dosjet s’janë për t’u hapur kurrë nën qeverisjen Rama. “Ka edhe momente që e merr rrogën kot. Jam gati të iku nesër dhe jam më i qetë se sa kur më ngarkojnë një punë dhe nuk më lejojnë ta bëj këtë punë. Të vjedhësh rrogën i detyruar nuk është turp vetëm për atë që e vjedh, por edhe për atë që e detyron të vjedhë. Çdo një drejtori politike për të përndjekurit në Ministrinë e Mirëqënies. Mesa duket ne na kanë vënë në këtë institucion për të mos zbuluar asgjë. Këtij institucioni nuk i mungon serioziteti, por nuk e lejojnë të punojë. Për mua, ligji aktual duhet të ndryshohet dhe të bëhet verifikimi një detyrim ligjor. Ndryshe kjo që po bëjmë është pa asnjë vlerë”, thotë Gumeni.