Skandali i Ramës me mediat për të tërhequr vëmendjen nga skandali me Tahirin

Edi PALOKA

Rama u përpoq të tërheqë vëmendjen sot nga skandali i vërtetë, duke sajuar me vetëdije një skandal tjetër me gazetarët. Duke sulmuar e fyer gazetarët (jo për herë të parë) Rama tregoi se nuk është aspak ndryshe gërxhove që dërgoi dhe ndërseu kundër gazetarëve përpara Kryesisë së Kuvendit. Po ky nuk ishte qëllimi në vetvete i aktit të tij.
Qëllimi i skandalit me gazetarët ishte mbulimi apo lënia në hije e skandalit të vërtetë; faktit që sot Parlamenti, mazhoranca e Ramës, votoi për imunitetin e krimit dhe mafies në Shqipëri.
Ne, opozita, shpesh kemi akuzuar se Rama e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi. Në fakt në Kolumbi vërtet krimi u fuqizua aq shumë sa narkotrafikantët i hapën luftë shtetit, por shteti u përball me krimin dhe për këtë Presidenti i Kolumbisë u nderua dhe me çmimin Nobel.
Ndërsa në Shqipërinë e Ramës dhe Tahirit, në Shqipërinë që ata duan, është ndryshe.
Sot Rama ju tregoi jo vetëm shqiptarëve, por gjithë botës se në Shqipëri krimi jo vetëm nuk luftohet nga shteti, por ka imunitet, se në Shqipëri krimi është vetë shteti.
Do të doja të thoja që ky është fundi, fundi i tmerrshëm, po për fat të keq nuk është kështu.
Nëse shqiptarët nuk reagojnë tmerri do të vazhdojë.
Unë e di që disa do të thonë: “Çfarë bëni ju? Ç’bën opozita?” Po nëse mendojnë se dyzet apo gjashtëdhjetë deputetë të opozitës do të bëjnë gjithçka, kjo është gabim. Sigurisht ne na takon të jemi në krye të reagimit, në krye të protestës, në krye të revoltës. Por asnjë qytetar në këtë përballje nuk mund të bëjë sehir. Kjo është një betejë e egër dhe jo e lehtë, prandaj kërkon të bëhemi të gjithë bashkë. Vetëm ashtu do ta mundim këtë të keqe e do t’i japim fund.

Exit mobile version