Erion Veliaj miratoi ditën e djeshme Buxhetin e Bashkisë së Tiranës me kuorum të falsifikuar dhe me vota të blera këshilltarësh, duke dëshmuar se ky është thesi në të cilin ai ka ndarë që tani llokmat për veten dhe klientelën pranë tij e Ramës. Bashkia e Tiranës miratoi me 32 vota pro Buxhetin e Tiranës për vitin 2018, ndërkohë që opozita nuk ka qenë prezente. Jashtë ambienteve të Bashkisë në të njëjtën kohë, kur kryetari po paraqiste buxhetin, kreu i këshilltarëve të djathtë deklaroi se, mbledhja është e falsifikuar dhe po zhvillohej pa kuorumin e duhur. “Refuzojmë të bëhemi pjesë e çdo lloj mbledhje të paligjshme, me kuorum të falsifikuar dhe me synimin e qartë që bëhet për të kaluar një buxhet korruptiv për njerëz të korruptuar, të cilët do të vazhdojnë të rëndojnë më shumë qytetarët e Tiranës dhe keqqeverisjen e Tiranës”, u shpreh ai. Gjithashtu në një intervistë televizive kreu i këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku, ka deklaruar se miratimi i Buxhetit të Bashkisë është një turp, pasi edhe u blenë disa nga këshilltarët. Çollaku shtoi më tej se, në sallë kishte edhe persona që nuk i njihnim që ishin ulur në karriget e këshilltarëve. Ai theksoi se, vendimet që ka ai buxhet janë skandaloze, pasi rëndojnë ekonominë e qytetarëve të Tiranës. “Mungesa e paketës fiskale është shkelje e ligjit. Konstatuam në sallë një anomali, në sallë pamë të ulur në vendet e këshilltarëve, individë që nuk i njihnim. Mbledhja e Këshillit ka pasur persona që nuk i njohim. Në rast se është një shok i kryetarit, por nuk mund të ulet zotëria në pozicionin dhe mandatin e Këshilltarit. Ky është Pullazi që nuk është anëtar, është ish-këshilltar, kryetar i Njësisë 2. Kjo që ka bërë Veliaj është një teatër, është një mbledhje me shokët e tij. Nuk është një mbledhje bashkie. Aty futeshin edhe punonjës të bashkisë, shoferë e ku di unë. Kështu, përpara kësaj situate ne vendosëm që të braktisnim mbledhjen. Vendimet që janë marrë në atë mbledhje janë skandaloze. Në atë mbledhje le të futin kë të duan, por nuk mund të marrin vendime të tilla. Zotërinë e ulur që shikoni në foto unë nuk e njoh, është hera e parë që e shikoj aty. Para kësaj situate manipulative ne nuk mund të bëheshim një me ta. Ata blenë një ose dy këshilltarë që të plotësonin numrin. Ai projektbuxhet është një krim që po u bëhet qytetarëve të Tiranës. Ai është një buxhet që sanksionon shumë proceduara për falimentimin e shumë bizneseve në Tiranë. Unë mendoj që ky është një turp”, u shpreh Çollaku. Kreshnik Çollaku ka denoncuar atë që ka ndodhur dje në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, ku Veliaj, sipas tij në vend të këshilltarëve përdori njerëz që nuk njiheshin. Po ashtu sipas Çollakut në këtë projektbuxhet parashikohet dhe blerja e drejtuesve të medias. “Projektbuxheti parashikonte një rritje dramatike të të ardhurave. Ka një sërë shpërdorimesh nga më të çuditshmet. Nuk ka asnjë investim në kuadër të përgjegjësisë sociale. Është një buxhet për të ushqyer oligarkinë dhe disa përfaqësues mediash po të doni. Çmimin e paguajnë qytetarët e Tiranës. Kjo është e papranueshme. Qëndrimin tonë do ta bëjmë sa më të detajuar ditën e nesërme. Është një situatë e paprecedentë, as në vendet e Afrikës nuk ndodh një gjë e tillë, kjo nuk gjendet në asnjë manual politik. E keqja nuk ka mbaruar, ne duhet të shohim zgjidhjen e kësaj situate. Qeverisja lokale është si një shoë televiziv, kështu po e drejton Veliaj. Drejtimi nëpërmjet propagandës, kreu i Bashkisë del tre herë në media për të njëjtën gjë, i vuri dritaren shkollës, u hap, u mbyll. Ka një manipulim të tmerrshëm mediatik. ‘Kënga Magjike’ a ju kujtohet ç’iu tha drejtuesi i saj?! Tha frazën ‘ne jemi të lumtur që paguajmë taksat në Tiranë’. Po a ka njeri në rruzullin tokësor që do të ishte i lumtur që të paguante taksa, në Tiranë apo kudoqoftë”, u shpreh Çollaku.