SKANDALI te Onkologjiku, vogëlushi 2 vjeçar me tumor prej 10 ditësh pa kimioterapi! (Mungon ilaçi)

Skandali me mungesën e kimioterapisë për të sëmurët me kancer vetëm sa thellohet në spitalin e Onkologjikut.

Së fundmi gazetari Osman Stafa ka publikuar rastin e vogëlushit 2 vjeçar të diagnostifikuar me tumor dhe prej 10 ditësh është pa asnjë lloj trajtimi.

2 vjeçari mbahet në spital pa asnjë lloj trajtimi ndërkohë që ka nevojë për medikamentin “ACTINOMYCIN D” që ashtu si shumë medikamente të tjera mungojnë në këtë spital.

“Po të gjendet ilaçi, e lufton 75% të sëmundjes që ka fëmija. Kur nuk gjendet ilaçi, mjekohet me një tjetër por ulet mundësia e shërimit. Unë si nënë ndihem shumë e zhgënjyer prej shtetit tonë sepse as këtë medikament nuk e siguron për fëmijën, atëherë si të rrimë ne këtu?”- u shpreh nëna e vogëlushit.

Ajo i bëri thirrje edhe kryeministrit Edi Rama dhe ministres Albana Koçiu që të ndërhyjnë për të siguriar ilaçet themelore për mbijetesë.

Postimi i plotë i Osman Stafës:

ËSHTË VETËM 2 VJEÇ  VUAN NGA KANCERI!

ÇFARË FAJI KA KY VOGËLUSH QË NUK KA KIMIO NË SPITAL?

ÇFARË MËKATI KA BËRË KY DJALË QË SHTETI SHQIPTAR, MINISTRIA E SHËNDETËSISË, NUK I MUNDËSON KIMIOTERAPINË?

DUHET TË KISHTE NISUR TRAJTIMI I TIJ ME KIMIO.

DJALI PO HUMBET KOHË TË VYER, PËR TË LUFTUAR PËR SHANSET E TIJ.

PREJ GATI 10 DITËSH, ËSHTË PA TRAJTIM.

MBAHET ATY NË SPITAL, PA DITUR ÇDO BËHET ME TË. KA NEVOJË PËR MEDIKAMENTIN “ACTINOMYCIN D”.

A NUK ËSHTË KJO KRIMINALE?

A NUK ËSHTË VEPËR PENALE?

Ministre e Shëndetësisë Albana Koçiu shko takoje djalin, e ke tek Pediatria Onkologjike, shko thuaji nënës së djalit se kur do të vijë ilaçi.

Kryeministri Edi Rama, kërkojini mikes suaj, Kryeministres Italiane, t’u bëj një nder e t’u japë mjekimin për këtë djalë, se Italia e ka. Është urgjent rasti i këtij djali. Kërkoni informacion, se mjekët e dinë sesa e fortë është sëmundja që po përballet ky fëmijë.

p.s Ju lutem, kush i njeh, tua nisin këtë post Prokurorit të Tiranës, Hysni Mulaj,

Gjyqtarit të Shkallës së Parë, Albert Meça, si dhe Gjyqtarit të Apelit, Dritan Hasani.

Ja pasojat e vendimeve tuaja.

Po të hetohej, dhe të viheshin përpara përgjegjësisë përgjegjësit, kjo situatë s’do ishte e tillë më.

Ky është një ndër rastet e shumta të denoncuara kur mungojnë ilaçe thelbësore për të mbajtur në jetë njerëzit e sëmurë me tumor.

Pavarësisht denoncimeve, duket se ende nuk ka ndërhyrje konkrete për të siguruar ilaçet që shpëtojnë jetë.

Exit mobile version