Zyrtarët premtuan t’i hiqnin të dhënat pasi The Independent njoftoi kryeministrinë, shërbimet inteligjente, ministrinë e jashtme, ministrinë e brendshme, ministrinë e mbrojtjes dhe ministrinë e financave se publikimi i këtij artikulli ishte në pritje. Gjatë muajve që informacioni ka qenë online, ka mundësi ta ketë lënë vendin të brishtë përballë infiltrimit të operativëve nga agjensi inteligjence ruse apo të tjera.
Në mars, Shqipëria dëboi dy diplomatë rusë, të akuzuar për operacione inteligjence të paatorizuara. “Puna e tyre nuk i korrespondonte statusit të tyre diplomatik”, tha në atë kohë ministri i jashtëm Ditmir Bushati.
Shqipëria duket se ka vuajtur në mënyrë të përsëritur nga mungesa e sigurisë së informacionit kur bëhet fjalë për shërbimet inteligjente. Vitin e kaluar, presidenca publikoi online një kopje të paredaktuar të kartës kombëtare identitifikuese të drejtorit Bendo, që përfshinte numrin e identitetit dhe adresën e shtëpisë, si pjesë e një iniciative transparence.
Më herët gjatë këtij viti, një agjencie shtetërore iu dërguan 250 emra të operativëve që shërbejnë në Inteligjencën Ushtarake.
Dokumentet e SHISH datojnë që nga 2014, teksa Shqipëria është përpjekur t’i tregojë
Bashkimit Evropian se po lufton korrupsionin publik dhe po përpiqet të jetë më transparente dhe e përgjegjshme si hap drejt anëtarësimit.
Ligji shqiptar e ndalon nxjerrjen e informacionit sekret shtetëror, me dënime deri 10 vjet burg për zyrtarët që e nxjerrin atë dhe 5 vjet për qytetarët e zakonshëm.
Pasi mësuan për rrjedhjen e informacionit, zyrtarë nga zyra e kryeministrit, ministria e financave, e brendshme dhe e jashtme, nxituan në prapaskenë të hiqnin të dhënat, por edhe të fajësonin për ngjarjen.
“Thesari regjistron në sistemin e vet online të gjitha faturat e urdhërpagesat që ekzekutohen çdo ditë”, tha një zyrtar në anonimitet.
“Të gjitha detajet që jepen këtu janë për shkak se janë shkruar si urdhërpagesa nga vetë institucioni. Ata nuk duhej t’i kishin detajuar faturat me informacion kaq sensitiv”.
Një ish-oficer me karrierë të gjatë në shërbimin inteligjent shqiptar tha për The Independent se faji qëndron te vetë SHISH, për dhënien e informacionit kaq sensitiv zyrtarëve të ministrisë së financave pa nivelin e duhur të sigurisë.
“Është mungesë kompetence e drejtuesve të tij”, tha ish-oficeri, gjithashtu anonim.
“Shpeshherë njerëzit emërohen jo për shkak të kualifikimeve apo punës së mirë, por për shkak të ndikimit të politikanëve. Shpeshherë njerëzit vijnë në institucionet e sigurisë pa vetting. Problemi fillon nga maja”.
Botuar në The Indipendent